Nëntorin e vitit 2022, opinioni në Kosovë u trondit nga disa audio-incizime që tregonin për dhunën e ushtruar nga logopedi Iljasa Fazliu, ndaj një fëmije 3-vjeçar me autizëm.
Rasti kishte ndodhur në Gjilan.
Logopedi Fazliu ishte arrestuar nga policia si i dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, e disa muaj më pas ai ishte kthyer sërish në punë në QKUK.
Ndërkaq, media merr vesh se Gjykata sot e ka liruar atë nga akuza.
Një familjar i viktimës ka thënë se vendimi i Gjykatës është “absolutisht i padrejtë”.
Në kushte anonimiteti, ky familjar i pacientes ka thënë se atyre u ka humbur besimi në organet e rendit në Kosovë.
Ai tha se nuk dëshiron që dikush tjetër ta ketë fatin e tyre.
Logopedi Iljasa Fazliu u arrestua më 27 nëntor pasi në media sociale u shpërnda një audio-incizim, Fazliu dëgjohej duke e fyer dhe ofenduar rëndë pacienten 3 – vjeçare.
Në dosjen e Prokurorisë thuhej se Fazliu kishte përdorur gjuhë ofenduese dhe denigruese ndaj 3-vjeçars. “…ndër të tjera duke bërtitur me tone të larta i ka thënë ‘ik, ik atje…Ti koke budallicë… ta q… bota nanën’”, thuhej në dosjen e Prokurorisë së Gjilanit.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Gjilan i kishte caktuar atij masën e paraburgimit prej 30 ditëve.
Veç tij, 30 ditë paraburgim u ishte caktuar edhe 2 familjarëve të pacientes, nën dyshimin se e kanë sulmuar fizikisht Fazliun.