Maqedonia e Veriut e Kosova me një pikë të përbashkët kufitare, të hënën mbahet mbledhja ndërqeveritare

Aktuale

Maqedonia e Veriut e Kosova me një pikë të përbashkët kufitare, të hënën mbahet mbledhja ndërqeveritare

Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 13:36

Të hënën Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, mbledhjen e parë jashtë kufijve do ta mbajë në Prishtinë, përkatësisht mbledhje ndërqeveritare me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.

Siç informon zëvendëskryeministri Arben Fetai, kjo mbledhje mes dy qeverive është një hap historik drejt forcimit të marrëdhënieve tona të shkëlqyera bilaterale dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal, transmeton Klankosova.tv.

“Në përgatitje për këtë ngjarje të rëndësishme, sot Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi informacionet për tre marrëveshje që do të nënshkruhen me Republikën e Kosovës: Protokolli për pika të përbashkëta kufitare (one stop shop) në Bllacë-Hani i Elezit dhe Jazhincë-Glloboçicë, për të lehtësuar qarkullimin midis popujve dhe bizneseve tona. Marrëveshje energjetike, për shfrytëzimin racional të resurseve natyrore dhe forcimin e sigurisë energjetike, si përgjigje ndaj sfidave të tranzicionit energjetik dhe krizës energjetike në rajon. Memorandum për arsim, shkencë dhe inovacion, që fokusohet në arsimin profesional dhe trajnimin për të rriturit, si dhe këmbim përvojash, literaturash dhe projekte arsimore mes dy vendeve”, ka njoftuar Fetai .

Edhe zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në një paraqitje televizive tha se mbledhja e përbashkët do të jetë e frytshme ku si pikë e parë e mbledhjes do të jetë rregullimi i sistemit në kufijtë Bllacë dhe Jazhincë, Shkup-Tetovë, të cilat sipas tij janë pika tejet të rëndësishme për lëvizjen e qytetarëve në dy shtete.

Kurse pika e dytë e diskutimit sipas tij do jetë për bashkëpunimin në sferën e energjetikës për të ndihmuar njëri tjetrin në rastet kur ka nevojë.

Ndërsa për pikën e tretë Mexhiti tha se ka të bëjë me rrugën Tetovë – Prizren.

“Së shpejti do të hapet tenderi i tunelit i cili është 6.2 kilometra pak më i gjatë se tuneli i Kalimashit në Shqipëri dhe më i gjati në rajon. Përveç këtyre tre pikave do të ketë edhe pika të tjera të cilat në interes të dy shteteve dhe qytetarëve”, tha Mexhiti.

“Përndryshe, këto vendime janë edhe një dëshmi se Maqedonia e Veriut dëshiron të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në shumë fusha, por edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, thuhet në kumtesën drejtuar mediave nga Maqedonia e Veriut.

“Kosova dhe Maqedonia janë shembull se si dy shtete fqinje tregojnë marrëdhënie të mira dhe partneritet të mirë ekonomik dhe politik dhe ky shembull duhet të shërbejë edhe për vendet tjera të rajonit, në mënyrë që në Ballkan të ketë paqe të qëndrueshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat