Objektet në të cilat ka operuar posta e Serbisë në komunat veriore shumë shpejt pritet t’i kalojnë Postës së Kosovës. Nga Komuna e Zubin Potokut kanë bërë të ditur se këtë do ta sqarojnë edhe me dokumentacion kadastral.
Dryri e shiritat e Policisë së Kosovës tash e tre muaj i janë vendosur.
Jo vetëm këtij objekti, por edhe disa të tjerë në qendër të Mitrovicës së veriut, Postës së Serbisë brenda lokaleve tashmë të mbyllura u kanë mbetur vetëm inventari.
“Kjo është njëra postat e Serbisë e cila është mbyllur me datë 5 gusht të vitit 2024 nga një aksion të cilin e ndërmori policia e Kosovës këtu në veri të Mitrovicës e cila ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës. Por cfarë do të ndodh me këto objekte?”
Kryesuesi i kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, Nexhat Ugljanin thotë se së shpejti pritet të merren masa që këto objekte t’i kthehen Postës së Kosovës.
Ai bëri të ditur se janë në pritje nga ministritë përkatëse që të njëjtit të dërgojnë shkresën zyrtare.
“Ne si kuvend komunal, për objektet sigurisht do t’i ndërmarrim hapat konkrete që ne me qenë në dispozicion për qëllimet dhe shërbimet e qytetarëve që vjen nga çdo ministri përkatëse nga Qeveria. Më nuk ekzistojnë strukturat paralele edhe që ekzistojnë, ekzistojnë nëpër objektet private por sigurisht që masat konkrete do t’i ndërmerr Republika e Kosovës me ministritë përkatëse”, tha Ugljanin.
E ngjashëm do të veprohet edhe në komunën e Zubin Potokut.
Kryetari Izmir Zeqiri thotë për Tëvë1 se në komunën e tij është vetëm një objekt në të cilën ka operuar posta e Serbisë, e cila pas një verifikimi që po bëhet në kadastër, pritet t’i takojë Postës së Kosovës.
“Normalisht që pronat që kanë qenë të postës, do t’i kthehen do të thotë pronarit siç është Posta e Kosovës, mirëpo do të sqarohemi edhe me dokumentacion kadastral. Kanë bërë kërkesë , ne i kemi adresuar në kadastër dhe natyrisht që ato ju takojnë pronat postës për të operuar. Kështu që kjo është në rregullim e sipër”, tha Zeqiri.
Policia e Kosovës në aksionin e gushtit 2024, mbylli këtë postë të Serbisë këtu në Zveçan.
Televizioni ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryetari por i njëjti gjendet jashtë vendit.
E në një përgjigje për Tëvë1 nga ministria e Punëve të Brendshme, kanë thënë se ende nuk kanë bërë kërkesë që këto objekte të kalojnë në këtë dikaster.