22 raste janë iniciuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për keqtrajtim të qytetarëve nga ana e zyrtarëve policorë. Këto po shihen si shqetësuese nga ish-eprorë të Policisë, të cilët kërkojnë fokus më të madh tek gjeneratat e reja në trajnimin e tyre.
Për mision e kanë shërbimin ndaj qytetarëve të vendit.
Por në disa raste, zyrtarët policorë kanë përfunduar duke keqpërdorur autoritetin e tyre zyrtar.
Inspektorati Policor i Kosovës ka treguar për tëvë1 se gjatë këtij viti ka iniciuar 22 raste nën dyshimet për keqtrajtim të qytetarëve nga efektivët policorë.
“IPK në periudhën 1 Janar – 15 Nëntor 2024, ka iniciuar 22 raste në drejtim të veprës penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’. Për këto raste IPK ka parashtruar në Prokurorinë e Shtetit 10 raste me Kallëzim Penal dhe 10 raste me Raport të Veçantë. Departamenti i Hetimeve për interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e 17 punonjësve policor”, thuhet nga IPK-ja.
E ish-eprori i Policisë, Rrahman Sylejmani thotë se raste të tilla janë shqetësuese për shkak se zyrtarët policorë i tejkalojnë autorizimet e tyre.
Ai ka edhe një arsyetim se pse po ndodhin gjithë këto raste.
“Një bashkëpunim më të thuktë me qytetarët mëgjithë që t’i kanë informacionet dhe policimit ta udhëheqin sipas informacioneve dhe të inteligjencës dhe të jenë aty ku duhet të jenë. Pavarësisht asaj, të duken në terren, duken më shumë në këmbë sepse ka policë të mjaftueshëm edhe po duket se gjeneratat e reja më shumë edhe trajnimi duhet të jetë pak më i gjatë pak më konkret edhe në praktikë dmth të jetë që ata të jenë në gjendje të ballafaqohen me gjitha situatat që mund t’i kenë gjatë kryerjes së detyrës së tyre”, tha Sylejmani.
Edhe nënkoloneli në pension, Refki Morina thekson se trajnimi në Akademinë Policore duhet fokusuar më shumë tek etika policore.
“Imazhi i Policisë së Kosovës rritet me etikën dhe mirësjelljen ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, me ndihmën ndaj tyre jo vetëm dënimet por edhe ndihmën aty ku është gabim t’i tërhiqet vërejtja ku mund të tolerohet, të tolerohet ku mundet të zbatohet ligji dhe në këtë mënyrë, në mënyrë etike, njerëzore të veprohet ndaj qytetarëve për arsye se jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe jemi pjesë e tyre pavarësisht se i kemi uniformën, revolet e pajisje tjera të cilat i posedojmë”, tha Morina.
Gjatë vitit 2023 kishin qenë 22 raste nën dyshimin për këtë vepër nga zyrtarët policorë, e ku ishte rekomanduar suspendimi i 11 prej tyre.