Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë të mbyll rrugët ilegale të cilat lidhen me Kosovën. Kjo kërkesë po vlerësohet pozitive, pasi konsiderohet se luan rol kyç në parandalimin e kontrabandës.
Bashkimi Evropian ka adresuar edhe një kërkesë ndaj Serbisë.
Kësaj rradhe, asaj iu kërkua që të mbyll të gjitha rrugët ilegale që lidhen me Kosovën.
Një gjë e tillë u parashtrua në Raportin e Progresit.
Në këtë raport, thuhet se Serbia duhet të punojë në zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ujdi kjo e arritur para 13 vitesh mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kërkohen përpjekje shtesë nga Serbia për mbylljen e rrugëve dhe anashkalimeve ilegale për të siguruar përdorimin ekskluziv të pikave të kalimit zyrtar për mallra dhe personat që hyjnë ose dalin nga Kosova. Serbia duhet të lejojë rifillimin e takimeve të përbashkëta të MIK të ndërmjetësuara nga BE në të gjitha nivelet (lokale, rajonale dhe qendrore)”, thuhet nga Raporti i Progresit.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Tëvë1 se ende nuk kanë vërejtur ndonjë lëvizje nga pala serbe në këtë drejtim.
Sipas tij, mbyllja e rrugëve ilegale në veri nga Policia e Kosovës, ka luajtur rol kyç në parandalimin e kontrabandës.
“Afër kufirit janë policia kufitare, sidoqoftë atë se çfarë atë mund ta themi është se ka aktivitete të shumta nga ana e Policisë së Kosovës. Ka ndikua në masë të madhe për arsyeje se ne i kishim 60 rrugë ilegale tash në vazhdimësi i kontrollojmë ato nuk do të thotë që i kontrollojmë 100%, por ka aktivitete të shumta të policisë së kufirit por edhe të rendit në atë zonë”, tha Elshani.
E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Fitim Mulolli thotë se kjo kërkesë e faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë është për arsyeje të ruajtjes së sovranitetit të Kosovës.
“Kërkesa e Bashkimit Evropian për Serbinë është shumë e qëlluar ka dy benefite kryesore për Kosovën, një është aspekti i sovranitetit sepse deri sa ka rrugë sekondare terciare të cilat i shfrytëzojnë për kontrabandim dhe hyrje dalje të paverifikuar, atëherë edhe sovranitetit është i cenuar në aspektin simbolik por edhe në aspektin e sigurisë. Ndërsa është edhe aspekti i dyte ku mallrat nga Serbia hyjnë në mënyrë të pakontrolluar që kontrabandohen”, tha Mulolli.
Në aksionet e fundit të Policisë në afërsi të pikave kufitare që lidhen me Serbinë, deri më tani janë mbyllur mbi 30 rrugë ilegale, disa prej të të cilave janë shfrytëzuar edhe për kontrabandë armësh.