Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, nuk dihej vendndodhja e tij

Aktuale

Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, nuk dihej vendndodhja e tij

Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 23:42
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me inspektorët komunalë, ka gjetur dhe konfiskuar një veturë të Komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila ishte e zhdukur për më shumë se një vit.

Xhipi i bardhë, i markës Nissan, u zbulua në katin e dytë të garazhit publik “Sutjeska” në veri të Mitrovicës.

Sipas shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës, Visar Syla, vetura më parë ishte përdorur nga Goran Rakiq, ish-kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Policia konfirmoi se identifikimi i automjetit u bë duke krahasuar numrin e shasisë.

“Gjatë kontrolleve rutinë, bashkë me inspektorët komunalë, gjetëm veturën. Pas verifikimit të numrit të shasisë, kuptuam se ishte në kërkim për një kohë të gjatë”, tha Veton Elshani, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për veriun.

Çelësat e veturës, sipas policisë, ishin në posedim të një personi me inicialet N.E., i cili ka qenë shoferi zyrtar i Goran Rakiqit. N.E. dorëzoi çelësat ditën kur vetura u konfiskua.

Vetura ishte porositur gjatë kohës kur Rakiq mbante pozita zyrtare në institucionet e Kosovës.

Garazhi ku u gjet automjeti ka kaluar së fundmi nën juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, gjë që mundësoi edhe zbulimin e saj.

Policia dhe zyrtarët komunalë po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit dhe për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje ligjore në përdorimin e automjetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat