Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të nisin hetim ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, si dhe shkarkim të Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së komisionit parlamentar për bujqësi, pasi vëllau i kësaj të fundit ka përfituar grant me vlerë rreth 100 mijë euro. Drejtues të PDK-së, kanë deklaruar se ky skandal dhe keqpërdorim i parë publike tregon qasjen e kësaj qeverie.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferencë për media tha se zyrtarët e qeverisë dhe mazhorancës po keqpërdorin institucionet për të përfituar ata dhe familjarët e tyre nga taksat e qytetarëve.
Mustafa: Vëllau i deputetës Pacolli e themeloi biznesin pasi aplikoj për grant te Ministria e Bujqësisë
“Ky skandal nuk është aspak i rastësishëm sepse Fitore Pacolli është kryetare e komisionit parlamentar për bujqësi, komision të cilit i raporton ministri i bujqësisë, Faton Peci, pra komisioni drejtohet nga Fitore Pacolli, vëllai i së cilës ka pranuar grantin me vlerë 100 mijë euro nga vet Ministria e Bujqësisë. Siç u dëshmua tanimë, vëllau i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm 4 ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e këtij projekti, për motive të cilat do të duhej të zbardhen nga institucionet e drejtësisë”, tha ai.
Sipas tij, pas zbulimit të këtij skandali, ministri Peci do të duhej të raportonte në komisionin për bujqësi, ngase ka akomoduar interesat e ngushta financiare të familjarëve të vet kryetares së komisionit për bujqësi, gjë që kjo e fundit nuk e gëzon kredibilitetin për ta ftuar në raportim ministrin e bujqësisë.
Mustafa: Kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit dhe hetim ndaj ministrit Peci
“Andaj duke u nisur nga kjo ne kërkojmë shkarkimin e menjëherëshm të kryetarës së komisionit të bujqësisë, Fitore Pacolli, pasi që dyshojmë se këtë funksion e ka përdorur për të ushtruar ndikim i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj. Në anën tjetër për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që vëllau i deputetës Fitore Pacolli të përfitojë grantin në fjalë dhe po ashtu të hetohet nëse ky përfitim është rezultat i varësisë zyrtare që ministri i bujqësisë e ka në raport me kryetaren e komisionit parlamentar për bujqësi. Zyrtarët më të lartë të shtetit përfitimin e këtj projekti nga vëllau i deputetës Pacolli po e mbrojnë dhe aryetojnë me arrogancë por po heshtin për refuzimin e përkrahjes së aplikimit të zonjës Farie Hoti që është njëra prej heroinave të Krushës”, tha ai duke shtuar se PDK në vazhdimësi ka theksuar se projektet e hartuara nga kjo qeveri nuk paraqesin ndonjë plan për ngritjen të mirëqenies dhe zhvillim të vendit.
Mustafa: Qeveria e ka parë buxhetin e shtetit si platformë për të akomoduar interesat e familjarëve
“Gjatë mandatit të kësaj qeverie, asnjë projekt i madh kapital nuk u përfundua dhe asnjë plan i madh, i rëndësishëm, kapital nuk u hartua. Tani po duket qartë se kjo qeveri asnjëherë nuk e ka parë buxhetin e shtetit si një instrument për të ndikuar në zhvillimin e vendit dhe ngritjen e mirëqenies, por para se gjithash si një platformë për të akomoduar interesat e familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre”, tha ai.
Ai tha se ngutuia e maxhorancës për të miratuar buxhetin e vitit 2025, krijohet dyshimi se ata kanë kurdisur përfitime tjera për të afërmit e tyre, pavarësisht faktit se ky pushtet nuk do të jetë aty për të zbatuar atë.