Me 25 shtator të vitit 2020, policia e Eulexit zbarkoi në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës.
E disa orë më pas, nga këtu nën pranga u nxor, kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati.
E në të njëjtën ditë, në duart e Speciales, ra edhe i dyti i kësaj organizate, Nasim Haradinaj.
Sipas Dhomave të Specializuara, të dy këta penguan punën e kësaj gjykate.
E dy vjet më vonë, Haradinaj e Gucati, u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë dhe u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim.
Deri me tani, ky rast mbetet i vetmi me vendim të formës së prerë në Dhomat e Specializuara.
“Puna e Gjykatës Speciale është përfshirë në disa raste. E kemi vetëm një rast që ka vendim të formës së prerë, është rasti “Gucati dhe Haradinaj”, dy raste të tjera janë që kanë përfunduar në Themelore, një tjetër është në Apel, në Apel ka përfunduar edhe rasti i Salih Mustafës, por ka shkuar në Supreme. E kemi edhe vendimin e Supremes për Salih Mustafën, kështu që procesi gjyqësor është duke vazhduar për katërshen e UCK-së. ZPS ka treguar që vazhdimisht po bën përpjeke që më ngushtua listën e dëshmitarëve dhe po përjashton nga lista dëshmitar të cilët i ka vlerësuar që janë më pak të rëndësishëm”, ka thënë monitoruesja në IKD, Bledina Veliqi.
Ndonëse me akuza krejt të tjera, në Hagë po vazhdon edhe procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.
Por, çka e karakterizoi punën e kësaj gjykate deri me tani?
“Shumica e seancave janë mbajtur të mbyllura gjatë proceseve gjyqësore, problemet në transmetime, probleme me përkthime, ka pasur edhe probleme me nxjerrjen e materialeve gjyqësore për palët ose publikun. Këto kanë qenë disa nga problemet që e karakterizuan punën e Gjykatës Speciale”, shprehet Veliqi.
E njohësit e drejtësisë në vend, thonë se puna e kësaj gjykate, mund të përfundoj së shpejti.
“Tashmë jemi me vonesë, unë jam optimist që në vitin e ardhshëm do të përfundoj në shkallë të parë, është inkurajues fakti që një pjesë e dëshmitarëve janë hequr nga lista, që kjo nënkupton shkurtim të procedurës”, thotë avokati Ardian Bajraktari.
Se rasti i katërshes së UÇK-së, do ta marrë epilogun në vitin e ardhshëm, e tha këtë javë edhe vet kryetarja e kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova.