Vdekja e një të riu në Prizren, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj dy personave për lëndim trupor dhe mosdhënie të ndihmës

Aktuale

Vdekja e një të riu në Prizren, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj dy personave për lëndim trupor dhe mosdhënie të ndihmës

Më: 18 nëntor 2024 Në ora: 12:34
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.A., (shtetas turk), dhe H.B., (shtetas kosovar), të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor”, “Mosdhënia e ndihmës” dhe veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 6 korrik 2024, kur i pandehuri E.A. ka shkaktuar lëndime të rënda trupore ndaj viktimës A.Th., gjatë një përleshjeje, duke përdorur një mjet të mprehtë dhe duke i shkaktuar plagë të rënda.

Viktima është dërguar fillimisht në Qendrën Emergjente në Prizren dhe më pas në QKUK në Prishtinë, ku ka ndërruar jetë për shkak të shokut hemorragjik.

Gjithashtu, i pandehuri H.B. akuzohet se nuk i ofroi ndihmë viktimës, edhe pse kishte dijeni për plagosjen dhe mundësinë e ofrimit të ndihmës pa rrezik për veten. H.B. po ashtu nuk e raportoi ngjarjen në polici, edhe pse kishte informacion të drejtpërdrejtë për kryerjen e veprës penale dhe identitetin e kryesit.

Prokuroria ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat