​Kurti thotë se eksporti nga Kosova në MV është rritur në 121 milionë euro

Aktuale

​Kurti thotë se eksporti nga Kosova në MV është rritur në 121 milionë euro

Më: 18 nëntor 2024 Në ora: 13:31
Kryeministri i vendit, Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për marrëdhënie të mira në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të cilat sipas tij reflektohen në rritjen “e vazhdueshme të tregtisë”. Kjo sipas tij ka arritur në 432 milionë euro në vitin 2023.

Shefi i ekzekutivit e ka quajtur këtë rritje të “jashtëzakonshme prej 52 për qind, krahasuar me vitin 2019”.

Kurti ka thënë se ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në MV – nga 48 milionë euro në vitin 2019 në 121 milionë në vitin 2023.

Kurti: Është rritur shkëmbimi tregtar me Maqedoninë e Veriut

“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona reflektohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë e cili arriti mbi 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje e jashtëzakonshme prej 52 për qind krahasuar me vitin 2019 ku qëndronte tek 284 milionë euro. Dhe gjithashtu është rritur edhe shkëmbimi tregtar në kuptimin e eksportit nga Kosova në Maqedoni të Veriut, nga 44 milionë në vitin e para para-pandemi 2019 në 121 milionë në vitin që shkoi 2023, rritje për 175 për qind”, tha Kurti.

Kurti ka theksuar se në mes të dy shteteve deri tani janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume që “na kanë ofruar edhe më shumë me njeri tjetrin por ajo ku duhet të theksojmë më shumë është zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë.

Sipas tij, rritja e tregtisë, “e shkëmbimeve midis dy vendeve tona reflektohet gjithashtu në rritjen e lëvizshmërisë së qytetarëve tanë”.

“Mes datave 1 janar dhe 1 nëntor të këtij viti janë regjistruar pothuajse 5 milion kalime kufitare në të dy kahjet, një rritje e konsiderueshme nga 3.5 milionë sa qëndronte në vitin 2019”, ka thënë Kurti.

Kurti e ka përmendur edhe autostradën Bllacë – Shkup.

Kurti: Mirëpresim përfundimin e ndërtimit të autostradës nga Bllaca në Shkup, më në fund

“Mirëpresim përfundimi e ndërtimit të autostradës nga Bllaca në Shkup më në fund, 10 kilometrat e mbetur që do të lidhte rrjetin e autostradave në MV me autostradën Arbën Xhaferi në Kosovë, dhe së bashku të angazhohemi për jetësimin e tunelit që lidh Prizrenin me Tetovën, angazhim ky tashmë i marrën nga dy vendet e tjera”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur Procesin e Berlinit për të cilin ka thënë se është kuadri që jo vetëm bashkon rajonin por edhe i afron edhe më shumë me BE-në.

Mbledhja ndërqeveritare po mbahet në Prishtinë.

Qeveria maqedonase drejtohet nga VMRO-DPMNE e cila bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar VLEN.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat