Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lista Guxo, Jeta Statovci ka thënë se ideja për shkëmbimin e territoreve ka buruar në Ballkan dhe jo në Washington.
Statovci thotë se nëse do të vazhdonte ajo logjikë, atëherë, do të shkonim edhe në shkatërrim të shteteve.
“Ideja e shkëmbimit të territorëve nuk ka qenë kurrë ide që ka buruar nga Washington, nuk ka qenë nga Brukseli. Ajo ka qenë ide që ka buruar në Ballkan, nuk po hyjë në emra të përveçëm. Evropa dhe Ballkani kanë kufijë administrativ dhe jo kufijë etnik, përndryshe do të shkonim edhe në shkatërrime të shteteve, nëse do të kthehej ajo logjikë”, tha Statovci.
Duke folur për situatën e tanishme në veri të Kosovës, Statovci thotë se gjendja sot është krejtësisht ndryshe.
Sipas saj, para se të vijë Qeveria Kurti në pushtet, në atë pjesë të vendit s’ka ardhë “era Kosovë”.
“Ne kemi qenë në vizitë edhe tek qytetarët që tregonin se ka mbi 20 vite që nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, ne e dijmë që në atë pjesë nuk ka ardhë as era Kosovë sepse ka qenë e përfshirë me banda kriminale, me financim që ka ardhë nga Beogradi, shto këtu armatimin e flamujt e tyre”, shtoi tutje Statovci.
Sipas Statovcit, arsyeja që Qeveria e Albin Kurtit ka pasë mbështetje aq të madhe ka qenë se është e pavarur.
“Kjo Qeveri është e para që ka qenë e pavaruar, qoftë shantazhi apo presioni politik dhe në këtë rast ka gëzuar mbështetjen e qytetarëve dhe mbështetjen institucionale në sensin e shtrirjes së rendit dhe ligjit në gjithë Republikën e Kosovës”, tha Statovci.
Tutje, sipas Statovcit pagat nuk janë rritë për fushatë zgjedhore, pasi siç thotë ajo, është hera e tretë që kjo Qeveri merrë vendim për rritje të tillë, duke filluar nga viti 2023 deri më 2025.
“Është një prej buxheteve më të mëdha në Republikën e Kosovës, buxhet që pritet të rishpërndahet sipas ndarjeve të saj buxhetore, pra është në një rritje 50% nga marrja e mandatit e cila ka fokus në rritjen e pagave dhe skemave sociale. Kjo nuk është rritje e pagave në fushatë, është hera e tretë që ne rrisim paga”, tha Statovci.