Pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesit e Kuvendit, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat ka refuzuar të tregojë emrat e personave me të cilët ka diskutuar.
Para medieve, ai ka theksuar se Kuvendi ka pranuar të drejtën e mbajtjes së grevës, por nuk ka ofruar një zgjidhje konkrete për punëtoret.
Azemi ka njoftuar se punëtoret kanë vendosur të presin deri të mërkurën për një përgjigje nga kompania kontraktuese.
Nëse kompania nuk do të kthejë të gjithë punëtoret në punë, ato do të fillojnë procedurat gjyqësore.
“Kuvendi mendon se ne kemi të drejtë. Baza ligjore është në anën tonë. Ka kaprica të brendshme që duhet t’i kalojmë, por organi më i lartë i Kosovës, u jep të drejtë ligjërisht këtyre punëtoreve. Greva vazhdon dhe zgjidhjen e kemi ne. Zgjidhja është presim deri pasnesër për të parë nëse kompania garanton të paguajë kompensimin për punëtoret që janë jashtë dhe për ato në shtëpi. Nëse nuk garanton për punësim dhe nëse nuk kërkon falje, procedurat vazhdojnë në Gjykatë,” ka deklaruar Azemi.