Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti tha se s’do të ketë degradim të gjuhës shqipe në këtë shtet.
Mexhidi pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut të mbajtur të hënën në Prishtinë, tha se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve vetëm sa do të thellohet.
Ai duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve rreth Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut, i cili është në Gjykatën Kushtetuese atje, tha se po presin vendimin e këtij institucioni.
Mirëpo sipas tij, deri tani s’ka pasur ligj për gjuhën shqipe në Maqedoni të Veriut që tani po cenohet.
Mexhiti: S’ka degradim të gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut, të drejtat vetëm sa do të avancohen
“S’ka pasur ligj të gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut dhe se tash po cenohet. Ka pasur ligj për përdorimin e gjuhëve, gjuhës që flasin mbi 20 për qind të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. E dyta, nuk cenohet nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, por ka një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, ku nëntë gjykatësit janë zgjedhur nga ish-qeveria LSDM-BDI. Problemin e bëjnë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese që kanë mandat nga ish-pushteti i kaluar. Ne i sigurojmë qytetarët tanë por edhe bashkatdhetarët tanë se s’ka nevojë të mërziten, pasi të drejtat që janë fituar nuk mund të degradohen, por të drejtat do të avancohen”, tha ai.
Mexhiti tha se qeveria e Maqedonisë së Veriut e konsideron partner të besueshëm qeverinë e Kosovës, ku përmes marrëveshjeve të arritura “do të lehtësohet jeta e qytetarëve në dy vendet”.
Mexhiti: Bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës vetëm sa do të thellohet
“Sot jemi këtu për të thelluar bashkëpunimin mes dy qeverive dhe për ta lehtësuar jetën e qytetarëve në dy shtetet tona. Ne jemi garant se gjuha shqipe do të avancohet në Maqedoni të Veriut”, theksoi ai.
Pas marrjes së pushtetit nga VMRO-DPMNE-ja në Maqedoni të Veriut, janë ngritur shqetësime për respektimin e të drejtave të shqiptarëve atje. Kjo parti bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar VLEN.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) tash në opozitë, ka shprehur shqetësim për mosrespektim të Marrëveshjes së Ohrit - dokumenti që njihet si kontratë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve.
Reagimet u rriten pas iniciativave për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve.
Atje rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë sa numëron shteti.
Ndryshe, në mbledhjen ndërqeveritare u nënshkrua protokolli për zbatimin e marrëveshjes për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, nisma për memorandum të mirëkuptimit në mes të dikastereve të ekonomisë së dy shteteve lidhur me sektorin e energjisë, si dhe memorandum bashkëpunimi në fushën e arsimit.