Pak kohë para mesnatës, Kiksi arrin të faktojë se prostitucionin zhvillohet lirshëm në Ferizaj, madje në sy të të gjithëve.
Gratë që thoshin se e bënin këtë veprimtari për bukën e gojës, zotoheshin se nuk kanë tutor, megjithëse të gjithë infrastrukturën e kishin, lokalin, taksitë, madje edhe hotelin ku zhvillohet akti final.
Por para së gjithave, Mavi kërkon pagesën.
Për të bindur, KIKS Kosova se ajo nuk është pjesë e rrjetit të trafikimit me qenie njerëzore, por e bën vullnetarisht këtë veprimtari, Mavi, emër ky që i është vendosur nga redaksia, zotohet në kokë të fëmijëve për një gjë të tillë.
Ajo thotë se është nënë e tre fëmijëve dhe klientët e saj u përkasin të gjitha moshave, që nga mosha 18 e deri në moshë të shtyrë.
Meqë Kiks Kosova është në një mision për të zbuluar dhe shpërfaqur dukuritë negative, që bëhen hapur dhe pa frikë nga institucionet e rendit, nuk e ka në plan të bëjë vetë një vepër të tillë penale.
Andaj misioni i ekipit është të kuptojë më shumë se si zhvillohet ky “biznes”, i cili në Kosovë është i ndaluar me të gjitha ligjet në fuqi.
Por normalisht misioni nuk duhet zbuluar, jo para tyre. Mavi na tregon se koha kur ka më së shumti klientë janë muajt e fundvitit. Klientët e saj janë vendas, por edhe nga mërgata.
Me gjithë zotimin e saj që nuk ka tutor, Mavi tradhtohet nga fjalët e saj, ajo gjatë bisedës tregon se bosi i tyre vjen vetëm kur ato të përfundojnë orarin dhe pagat ato i marrin çdo ditë, varësisht nga numri i klientëve që kanë.
Sikurse ky lokal, në rrugën e Varoshit, janë edhe katër ose pesë lokale ku lirshëm e pa pengesë zhvillohet prostitucioni në këtë qytet.