Gazetari Viktor Buzhala në emisionin “Dita e re” në Kanal 10, ka folur për turizmin në Kosovë si dhe çmimet e larta, siç ka thënë ai, që nuk janë në përputhje me shërbimet që ofrohen.
Duke folur për turizmin malor në Kosovë, Buzhala ka hedhur kritika të mëdha duke thënë se çmimet në vila janë shumë me të larta se sa me shku në Stamboll apo Selanik.
Ai madje ka thënë se në Kosovë nuk ka një traditë të turizmit dhe në këto raste keqpërdoren edhe çmimet e shërbimeve.
“Ato janë çmime që i kam hasur nga agjencione turistike të Kosovës, bile nuk e kam cek fare për Stamboll e Selanik që janë 70 euro për person. Duhet ta sqaroj, nuk bëhet fjalë për person në Kosovë, mirëpo ato vila janë jashtëzakonisht të shtrenjta për kushtet që ofrojnë, shihet qartazi që ne nuk kemi traditë turistike e keqpërdorimin në momentin kur kërkesa është e lartë keqpërdorim me çmime duke mos iu ofruar turistëve shërbimin karshi çmimit që ata e paguajnë. Në këto raste turisti nuk kthehet më këtu, bile as turistet vendor, krijohet percepcioni se ato çmime janë të shtrenjta dhe nuk ia vlen dhe ikun tjetër kah. Ne turizmin malor duhet me e zhvillu se deti nuk kemi dhe në këtë rast në turizëm malor duhet të kemi një strategji që të ofrojmë çmime aq sa i kemi edhe shërbimet mirëpo kemi shku kemi fluturu me ato çmime, dhe ato villa nuk është se ofrojnë ndonjë komoditet aq të madh”, ka thënë Buzhala.