Koloneli shqiptaro-amerikan Dritan Demiraj, ka komentuar bisedën telefonike mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq me presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump.
Ai ka konfirmuar se shqiptaro-amerikanët kanë mbështetur shumë herë më shumë se shtetasit serbë Trumpin si kandidat për president, përcjell Bota sot.
Demiraj ka shprehur bindjen se gënjeshtrat e ministrit të fundit të kriminelit Milosheviq, nuk i beson as Trumpi.
Ish-ministri i Brendshëm shqiptar, i ka bërë thirrje shqiptaro-amerikanëve që të ndjekin vazhdimisht situatën gjeopolitike, në mbrojtje të interesit më të mirë të të gjithë shqiptarëve në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Reagimi i plotë në Facebook:
Të nderuar miq!
Duke lexuar lajmet, më tërhoqi një lajm i publikuar në mediat ndërkombëtare. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e 47-të të SHBA-së, Donald J. Trump.
"Sapo përfundova një bisedë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump. Biseda ishte e shkëlqyer, me përmbajtje shumë të përzemërt," deklaronte Vuçiq në Instagram. Ai, si mjeshtër i përdorimit të "Maskirovskas"-it rus, deklaron se Serbia, e cila haptazi është krejtësisht e orientuar nga boshti Moskë-Pekin dhe që në mënyrë të vazhdueshme ka destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe Dardaninë, ishte vendi ku mbështetja për zgjedhjen e presidentit Trump ishte më e madhja në gjithë Europën.
Si shtetas shumë krenar shqiptaro-amerikan dhe i angazhuar nonstop, së bashku me qindra miq të tjerë bashkëkombas, në mbështetje të shtabit elektoral të Presidentit Trump, si mbështetës të konservatorizmit, haptazi kundër liberalizmit dhe shkatërrimit të familjes, kundër shoqërisë së hapur dhe jo vetëm, konfirmoj se ne kemi mbështetur shumë herë më shumë se shtetasit serbë Partinë Republikane dhe kandidatin e saj për president.
Serbia e ka treguar në të gjitha rastet, nëpërmjet polemikave, por edhe nëpërmjet aleancave dhe orientimit të politikës së saj të jashtme, se është kundër Amerikës. Për rrjedhojë, gënjeshtrat e Vuçiqit, ministrit të fundit të kriminelit Milosheviq, nuk i beson as Trumpi, as bashkëpunëtorët e tij, shtabi elektoral i të cilit ka qenë nonstop për katër muaj çdo ditë në Michigan.
Personalisht, shpresoj që, për shkak të premtimit për mbështetje nga Presidenti Trump për të pastruar disa liderë anti-amerikanë në Ballkanin Perëndimor dhe për të rritur influencën e Kombit Shqiptar gjatë këtyre katër viteve në vazhdim, të arrihet forcimi më tej i aleancës më të fuqishme Shqipëri-Dardani-SHBA.
Në përfundim, ju bëj thirrje të gjithë shqiptaro-amerikanëve të qëndrojnë alertë dhe të ndjekin vazhdimisht situatën gjeopolitike me interes të shtuar, në mbrojtje të interesit më të mirë të të gjithë shqiptarëve në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.