Damati: Kërkojmë nga gjykata që të kërkohet vëmendje nga Glauk Konjufca

Aktuale

Damati: Kërkojmë nga gjykata që të kërkohet vëmendje nga Glauk Konjufca

Më: 19 nëntor 2024 Në ora: 12:24
Kjo seancë është shtyrë në mungesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit 2015.

Kjo seancë është shtyrë në mungesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ndërkaq, të pranishëm kanë qenë Pal Lekaj, Time Kadrija, Aida Dërguti, Teuta Haxhiaj dhe Besa Baftiu.

Avokatja e kryeparlamentarit, Arbnora Zeqiri tha se Konjufca është në vizitë jashtë vendit, për çka edhe kërkoi të shtyhet seanca.

Zeqiri: Klienti im gjendet në një vizitë zyrtare jashtë Kosovës

"Klienti im nuk prezanton sot në këtë seancë për shkak se i njëjti gjendet në një vizitë zyrtare jashtë Republikës së Kosovës dhe për këtë e kemi njoftuar gjykatën me kërkesë me shkrim, në mënyrë që kjo seancë të mos mbahet sot dhe eventualisht në një datë më të afërt apo që nesër për shkak se i njëjti sot nuk gjendet në Republikën e Kosovës. Andaj e njoftoj gjykatën që kemi të bëjmë me një aktakuzë të vitit 2016, ku klienti im ka qenë deputet. Kërkesa për shtyrje të kësaj seance ka qenë për shkak se ai ka edhe përgjegjësi institucionale dhe përfaqëson procese të rëndësishme për Republikën e Kosovës", tha ai.

Për këtë ka reaguar gjyqtari Adnan Kamberi, i cili tha se "gjykata nuk i përshtatet punës së asnjë institucioni.

"Këtë pjesë arsyetoje, pjesën tjetër mos. Sepse nuk është relevante sepse të gjithë jeni të barabartë... ua tërheq vëmendjen që gjykata nuk i përshtatet punës së asnjë institucioni tjetër. Gjykata e ka agjendën e punën e vet. Mos kërko prej gjykatës t'i përshtatet punës së institucionit tjetër", ka thënë ai.

Avokati i Pal Lekajt, Musa Damati kërkoi që kryeparlamentari Glauk Konjufca të jetë i vëmendshëm në respektimin e thirrjeve të gjykatës.

"Klienti im përkundër agjendës dhe obligimeve ka shfaqur respekt duke qenë prezent, i pranishëm në këtë seancë po ashtu edhe koleget e tij. Andaj kërkojmë nga gjykata që përmes mbrojtës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Koniufca të kërkohet një vëmendje dhe seriozitet i shtuar që përkundër agjendave zyrtare të respektohen thirrjet e gjykatës për arsye se ne nuk e dimë pa preudikuar datën e ardhshme të seancës, agjendën e klientit tim, Pal Lekaj", u shpreh Damati.

Mbrojtja e Lekajt theksoi se nuk është pajisur me shkresat e lëndës, për çka kërkoi qe gjykata ta obligoj prokurorinë që brenda afatit të arsyeshëm ta pajis mbrojtjen me këto shkresa.

Seanca e ardhshme e shqyrtimit fillestar u caktua më 27 nëntor në orën 11:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat