Njësitet policore pas pranimit të një informate, është kryer një kontroll në rrugën Kralj Petri në Zveçan.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollimit janë gjetur tre kavanozë (bure) plastikë të groposur në dhe, në të cilët kishte pasur uniforma ushtarake, armë AK47, granata dore dhe fishekë.
Policia sqaron se fillimisht një bure është gjetur nga njësitet e DRP Mitrovicë Veri, e më pas nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive janë gjetur edhe dy bure të tjera.
“Dëshmitë të cilat janë gjetur dhe janë marrë nga Policia janë: 4 granata M75, dy pushkë automatike AK 47, gjashtë karikatorë me municion të AK 47, një karikator i zbrazët, 156 fishek të AK 47, 179 fishekë të M48, një antiplumb ushtarak, me dy pllaka, tri palë pantallona, katër jakne ushtarake, dy jelekë taktikë, dy gas maska, dy çanta krahu ushtarake, 5 rripa ushtarakë të brezit, një maicë e zezë”, thuhet në njoftim.
Ky rast ka të bëjë me një person me interes për Policinë, e i cili dyshohet se ndërlidhet me rastin Bajnska.