Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëzoi sot kallëzim penal në Prokurorinë e Kosovës, lidhur me grantet të cilat i ka dhënë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, për vëllan e saj dhe së fundmi edhe dajën.
Fitnete Bejta, kandidate e kësaj partie për deputete në zgjedhjet e ardhshme tha se ky dorëzim tregon se LDK ishte opozitë me fakte e argumente.
“Besoj që LDK ka luajtur rol konstruktiv në atë aspektin e të bërjes opozitë. Ka qenë opozitë me argumente, fakti që sot kanë dërguar në Prokurori një kallëzim penal nuk ka qenë një lloj opozite e verbër mirëpo me fakte e argumente”, deklaroi ajo.
E se a janë lëvizje opozitarë veprimet e fundit pasi vendi është në prag zgjedhjesh, Bejta dha qëndrimin e saj.
“Unë nuk e shoh që është ashpërsuar, po shoh që po dalin skandalet në pah, që ne si qytetarë të Kosovës nuk duhet t’i mbyllim sytë”, shtoi ajo.