Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 7 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë të akuzuarin, Goran Dimitrijeviq, për akuzën se në cilësinë e zyrtarit policor në vitin 2016 ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”.
Aktgjykimi dënues ndaj Dimitrijeviq është shpallur të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Fatos Sejdijaj.
Dimitrijeviq obligohet që gjobën në shumë prej 1 mijë e 500 euro ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjithashtu, ai obligohet të paguajë 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.
Në seancën gjyqësore të mbajtur po sot, u administruan provat materiale dhe palët paraqitën fjalën përfundimtare.
Prokurorja Fetije Bajrami deklaroi se mbetët në tërësi pranë aktakuzës dhe se pas administrimit të provave dhe në bazë të deklaratave të dëshmitarëve është vërtetuar kryerja e veprës penale.
Prokurorja Bajrami tha se kryerja e veprës penale sipas aktakuzës vërtetohet nga dokumentacioni i vendit të ngjarjes, orari i punës së zyrtarëve policor në ditën kritike, nga video – incizimet e vendit të ngjarjes që përputhen në tërësi me deklaratën e të dëmtuarit, si dhe nga momenti kur kalon automjeti “Mercedes” në pikë-kalimin kufitar në Jarinjë, momenti kur i dëmtuari e ofron dokumentacionin, momenti kur i afrohet zyrtari policor, deri në momentin kur i dëmtuari parkon automjetin “Mercdes”, dhe i pandehuri i afrohet automjetit të parkuar, dhe së bashku me të dëmtuarin shkojnë afër kontinerit.
Ajo i propozoi gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet, si dhe t’i merr parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Goran Dimitrijeviq, avokati Milos Deleviq në fjalën përfundimtare tha se fjala përfundimtare e Prokurorisë mbështetet vetëm në deklarata të dëshmitarëve, të cilët nuk janë dëgjuar në shqyrtim kryesor, ndërsa deklaratat e tyre paraprake nuk mund të shfrytëzohen si dëshmi në shqyrtim kryesor.
Deleviq tha se si dëshmi relevante në këtë rast janë vetëm dy prova dhe atë video-incizimet dhe procesverbali nga vendi ngjarjes në pikë-kalimin kufitar, pasi në video-incizim nuk shihet dhënia – marrja e parave, dhe se nuk mund të vërtetohet fajësia e të pandehurit vetëm në bazë të deklaratës së të dëmtuarit-dëshmitarit.
Ai i propozoi gjykatës që të pandehurin ta lirojë nga aktakuza me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Në fund, i pandehuri Dimitrijeviq e mbështeti fjalën përfundimtare të avokatit mbrojtës dhe tha se që nga viti 2003 punon në Polici, dhe se asnjëherë nuk ka qenë asnjë njollë në punën e tij, i njëjti i propozojë gjykatës që ta lirojë nga aktakuza.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2018 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Goran Dimtrijeviq po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, më 27 shkurt 2016, në orën 17:51, në pikë-kalimin kufitar në Jarinjë në Leposaviq, ka keqpërdorë detyrën zyrtare duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ku gjatë ushtrimit të detyrës ka kërkuar dhuratë për vete.
Dimitrijeviq në pozitën e zyrtarit policor, thuhet se ka kërkuar dhuratë për vete nga personi tjetër tani i dëmtuar Radula Rukajloviq, i cili derisa ka qenë duke kaluar me veturën e tij për të hyrë në Republikën e Kosovës nga Republika e Serbisë është ndalur në mënyrë të rregullt në pikë-kalimin kufitar dhe ia ka dorëzuar dokumentet zyrtarit policor, dhe e ka paralajmëruar zyrtarin policor se bashkëshortes së tij M.V., i ka skaduar afati i letërnjoftimit, dhe pas kontrollimit të dokumenteve të tij nga zyrtari policor tani i pandehuri Dimitrijeviq është udhëzuar që të parkohet në parkingun e pikëkalimit kufitar.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Dimitrijieviq i kishte thënë të tani të dëmtuarit se nuk mund t’i ndihmojë që bashkëshortja e tij ta kalojë kufirin pasi kinse “shefi ka thënë se duhet të qarosin diçka”, pas kësaj, sipas aktakuzës i dëmtuari e kishte kuptuar që duhet të jap para që të kalojë kufirin gruaja e tij, dhe ia kishte dhënë të pandehurit 2 mijë dinar, Betim për drejtësi.
Me këto veprime, sipas aktakuzës ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 428, paragrafi 1 të Kodit Penal.