Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka përjashtuar mundësinë që ai personalisht të votojë një bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka përmendur dy skenare ku do ta votonte një koalicion të tillë, për të cilat vet ka thënë se nuk mund të ndodhin.
Skenari i parë sipas tij është nëse lirimi i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit do të varej nga një votë e tillë dhe ai për sigurimin e pesë njohjeve të Kosovës nga pesë vendet e BE-së, (Spanja, Rumania, Qipro, Sllovakia dhe Greqia).
“Flas në emrin tim personal jo të kryesisë. Në ato rastet kur ishin liriu z. Thaci dhe z.Veseli, ose nëse me thirr kryeministri i Rumanisë, Qipros, Greqisë, Sllovakisë e Spanjës, e me thonë voto se pesë njohjet vijnë pas koalicionit me LVV-në ndoshta do ta kisha votu, sepse këto dy skenare hyjnë në funksion të interesit nacional të Kosovës. Por këto nuk janë në pyetje, në asnjë skenar tjetër jo”, ka thënë Kastrati.
Ai ka thënë se nuk mund të ketë një koalicion me një parti e cila sipas tij, ka keqqeverisur në vend.
Kastrati ka thënë se preferencat e kandidatit për kryeministër Bedri Hamza janë që koalicion të ketë me partitë që aktualisht janë në opozitë.