Policia e Kosovës gjatë një kontrolli sot në Drobnjak të Zubin Potokut ka gjetur dhe sekuestruar pajisje ushtarake, si dhe një sasi të fishekëve të kalibrave të ndryshëm.
Aksioni ishte ndërmarrë sot rreth orës 12:00 nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve - Mitrovicë Veri, në koordinim me njësitë policore Mitrovicë Veri, me autorizim të prokurorit nga Prokuroria Themelore Mitrovicë, në Drobnjak të Zubin Potokut.
E tëra kjo me qëllim të kapjes së personit me inicialet S.M., i vënë në kërkim për laboratorin e drogës në Qukiq të Zubin Potokut, i cili rast ishte hetuar në vitin 2018.
Pasi i dyshuari nuk është gjetur në lokacionin e dyshuar, policia ka gjetur të groposura uniforma dhe pajisje tjera ushtarake.
Në vendin e ngjarjes është ftuar njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive, ku gjatë kontrollit edhe në tri vende tjera të groposura janë gjetur dhe sekuestruar pajisje të ngjashme uniformë ushtarake, pjesë të pushkëve të gjata, jelek taktik, gaz maska, një tytë e pistoletës, një palë pranga dhe 1471 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbim ndaj qytetarëve në gjithë territorin e vendit pa dallim.