Në gjykimin ndaj Andi Pajzitit, i akuzuar për rastin e vrasjes se 2023-ës në lokalin “Bon Vivant”, të mërkurën janë dëgjuar dy dëshmitarët e propozuar nga prokuroria, Granit Hamiti dhe Agim Zeqiri, të cilët në natën kritike kishin marrë plagë.
Lidhur me ngjarjen e natës së 4 gushtit 2023, dëshmitari Hamiti deklaroi se përveç se kishte dëgjuar krismat, nuk kishte parë apo dëgjuar diçka tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë as të ndjerin, as të pandehurin nuk i kam njohur më parë e as nuk di se kush janë…”, tha ai.
Ndërsa, dëshmitari Zeqiri i pyetur nga prokurorja e rastit, Nebahate Salihu se a kishte dëgjuar ndonjë mosmarrëveshje apo zhurmë, i njëjti deklaroi se ishte larg nga vendi i ngjarjes, duke shtuar se nuk ka parë as dëgjuar asgjë.
Pasi që palët tjera nuk kishin pyetje për dëshmitarët, seanca u ndërpre për të vazhduar në një datë tjetër.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.