E kaluara e biznesmenit nga Peja, Jeton Buquku, dhe problemet e tij me ligjin kanë qenë shpesh të pasqyruara në media. I dënuar për korrupsion dhe i dyshuar për vepra të tjera, Buquku ka filluar një ‘betejë’ me Adem Elshanin, i njohur si ‘Dema’, me të cilin ka pasur raporte të mira vite më parë. Pas tri incidenteve që kanë ndodhur te bizneset e familjes Buquku brenda pak muajve, Jeton Buquku ka deklaruar se dyshon se këto ngjarje mund të jenë të porositura nga Adem Elshani.
Gjuajtja me armë te mishtorja ‘Buquku’ në dhjetor të vitit 2022, djegia e veturës së vëllait të Jeton Buqukut më 1 shkurt 2023, dhe hedhja e granatës te fabrika ‘Buquku’ në Cigë të Pejës janë tre incidentet për të cilat familja Buquku dyshon se Demë Elshani mund të ketë pasur lidhje.
Gazeta ka mësuar deklarimet e Jeton dhe Egzon Buqukut para Prokurorit të Shtetit në shtator 2023.
Katër personat e dyshuar për këto raste kanë qëndruar në paraburgim, dhe Jeton Buquku i ka akuzuar ata se janë shtyrë nga Demë Elshani për të kryer veprat penale në fjalë, pa dhënë ndonjë dëshmi për këtë pretendim.
Në pyetjen e prokurorit se “a e keni kuptu se kush i ka shtyrë të dyshuarit për t’i kryer”, Jeton Buquku ka deklaruar se “në bazë të fjalëve që ai [Demë Elshani] i ka thënë vëllait, dyshojmë se i ka shti Dema me i bo këto vepra, meqenëse unë me asnjërin prej të pandehurve nuk jemi njohur.”
A ekziston një borxh që kalon shifrën prej 1 milion i Jeton Buqukut ndaj Demë Elshanit?
Janë ngritur dyshime se familja Buquku i ka inskenuar rastet në fjalë gjoja se për ta ‘shlyer borxhin’ ndaj Demë Elshanit, që sipas burimeve kap vlerën e 1 milionë e 600 mijë euro.
Burimet kanë bërë me dije se dy nga personat e arrestuar për incidentet e ndodhura kanë deklaruar se Jeton Buquku iu ka kërkuar që të dëshmojnë rrejshëm se Demë Elshani i ka porositur për t’i kryer këto vepra, për çka sipas tyre Buquku ka ofruar edhe mbrojtje.
Jeton Buquku e ka mohuar se ka borxh ndaj dikujt, duke e specifikuar se s’është borxhli as te Demë Elshani, me të cilin ka pretenduar se për herë të fundit ka folur në vitin 2011.
Edhe pse Jeton Buquku ka deklaruar se nuk ka pasur kurrfarë kontakte me Demë Elshanin për shumë vite dhe se nuk ka borxh ndaj tij, ai nuk ka dhënë asnjë informacion para prokurorit në lidhje me akuzën e tij se Demë Elshani e ka porositur grupin e dyshuar për të shkaktuar incidentet.
Në deklaratën e tij, Buquku ka përmendur vetëm një bisedë me personin që e kishte rrahur në lokalin e tij, të cilit i kishte kërkuar të jepte emrin e ‘bossit’ që, sipas tij, i ka porositur dhe paguar të dyshuarit për të kryer këtë vepër, ku dyshohet se i është referuar Demë Elshanit.
Megjithatë, babai i tij është takuar me të në Spanjë, kurse Egzon Buquku ka folur me të në telefon në muajin mars të vitit 2023.
Në një pjesë të dëshmisë së Egzon Buqukut, thuhet se ai ka deklaruar që ka biseduar në telefon me Demë Elshanin, duke thënë se “ai më ka thirr në telefon dhe më ka vet pse po shkon me jep deklarata në polici, në prokurori dhe tu më ndjek me shtet. Unë i kam thënë “po është e vërtetë që kam japur deklarata sepse nuk e di çfarë borxhi të kemi ne ty”. Dema pretendon se ne i kemi borxh 1 milion apo 1 milion e gjysmë. Ne nuk i kemi askujt borxh e as Demës”.
Të dy kanë deklaruar se nuk kanë pasur informacione pse kanë ndodhur incidentet dhe fillimisht nuk kanë dyshuar te askush, me arsyetimin se “nuk kemi pasur ndonjë problem me dikë”. Pasi janë identifikuar katër persona si të dyshuar, Egzon Buquku ka deklaruar se “tani e dijmë se nga ky grup” janë kryer veprat penale, të cilët ai ka thënë se i njeh, ndërsa Jeton Buquku, e ka mohuar se i ka njohur.
Jeton Buquku edhe në fund të deklaratës së tij është shprehur se sulmet janë nga Demë Elshani, i cili përmes njerëzve me pagesë i ka kryer këto vepra, pa dhënë ndonjë arsyetim se cili është motivi i Demës për përfshirje në këto raste.