Ish-diplomati, Tomor Avdia, ka thënë se ambasadave iu ndalohet me ligj përfshirja në fushatat elektorale.
Sipas tij, diplomatët nuk kanë të drejtë as të jenë pjesë e as të ofrojnë ndihmë për takime të tilla.
“Konsullatat e kanë të ndaluar me ligj në çdo vend që të jenë të përfshira në fushata elektorale sepse misionet diplomatike edhe ligjin që e ka çdo ministri e Jashtme duke përfshirë edhe Ministria e Jashtme e Kosovës e ka të ndaluar që të jetë e përfshirë në akte të cilat kanë të bëjnë në fushata, pra diplomatët nuk kanë të drejtë të jenë pjesë e këtyre takimeve, nuk kanë të drejtë të organizojnë takime, nuk kanë të drejtë të ofrojnë logjistikë për organizimin e këtyre takimeve, nuk kanë të drejtë të ofrojnë ndihmë për organizimin e këtyre takimeve”, ka thënë ai.
Avdia tutje ka shtuar se nga Ambasada e Kosovës në Frankfurt është shkelur ky ligj.
“Konsullata në Frankfurt dhe autorët që e kanë dhënë urdhrin për të marrë pjesë e kanë shkelur ligjin. Ministri i Diasporës mund të mbajë takime me drejtues të diasporës e jo takim masiv politik, dallon kjo”, është shprehur ai.