Ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, ka thënë se pyetja se çfarë do të bëjë një president amerikan a një tjetër për dialogun Kosovë-Serbi, e befason atë.
Në një bisedë për N1, ai tha se pyetja më e mirë do të ishte se çfarë mund të presë ShBA-ja nga rajoni.
“Gjithmonë mendoj se është interesante që njerëzit nga rajoni më pyesin, e dini, çfarë mund të presim ne në rajon nga Shtetet e Bashkuara, nga një kandidat apo një tjetër? Mendoj se pyetja duhet të jetë – çfarë mund të presim ne nga rajoni”, u shpreh ai në këtë intervistë.
Reeker foli për kohën kur ka qenë i përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel më shumë se një dekadë më parë, kur i njëjti udhëhiqej nga baronesha Catherine Ashton, atëherë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian.
Në atë kohë, ai tha se “ne patëm sukses” sepse “u arrit Marrëveshja e Brukselit”.
Por, thotë se “është e mahnitshme të shohësh se më shumë se një dekadë më vonë, gjërat nuk kanë ecur përpara”.
“Dhe kjo është zhgënjyese. Mendoj se do të ishte mirë nëse të gjithë, jo vetëm në rajon, por në të gjithë Evropën, të kuptonin se është koha për të ecur përpara. Keni strukturë, më shumë marrëveshje në dialog. Përdorni ato. Nëse kjo nuk funksionon, gjeni metoda të tjera për ta bërë atë”.
“Ju kishit Miroslav Lajçakun, për shembull, i cili me guxim e bëri punën në tentim për t’i bashkuar palët. Dhe, sigurisht, keni pasur zgjedhje të reja në BE, keni një komision të ri, keni një administratë të re amerikane, keni një qeveri të re në Britaninë e Madhe. Ky ishte një vit zgjedhor. Më shumë se gjysma e popullsisë së botës pati rastin të votonte. Mendoj se është koha për të kaluar nga këto konflikte të stërzgjatura”, theksoi Reeker.
I pyetur nëse mund të preket misioni i KFOR-it në Kosovë nga ulja potenciale e kostove për NATO-n, ambasadori amerikan tha se “KFOR-i ishte një mjet shumë efektiv që u krijua me mbështetjen amerikane, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen amerikane deri më sot”.
Por, ai është i mendimit po ashtu se administrata e dytë e Trump mund të shohë KFOR-in dhe të thotë: “pse po e bëjmë këtë?”
“Duhet të dëgjoni se çfarë tha Presidenti Trump, presidenti i zgjedhur Trump, ish-Presidenti Trump gjatë fushatës së tij. Ai dëshiron të reduktojë dislokimin e trupave amerikane jashtë vendit. Dëshiron të dijë se sa e dobishme është kjo për ne? Dhe prandaj unë them, çfarë do të bëjë rajoni për ne në Shtetet e Bashkuara? Kemi shumë gjëra për të përballuar. Nuk mund të parashikoj saktësisht se si do të rishikohet. Ka kohë që administrata e re të marrë detyrën më 20 janar. Zyrtarët duhet t’i zënë vendet e tyre, vendimet do të merren në atë kohë, padyshim në konsultim me Kongresin, dhe jam i sigurt me aleatët. Por aq më tepër nëse kujtojmë se sa kanë kaluar, 25 vjet nga lufta në Kosovë dhe më shumë se një dekadë që nga dialogu që solli marrëveshjen e Brukselit. Pra, është koha për të vazhduar me këto gjëra”, u shpreh ambasadori amerikan, Philip Reeker.