ZPS për dëshmitarin e 106-të: U rrëmbye nga tre persona me uniforma të zeza dhe emblemë të UÇK-së

Aktuale

ZPS për dëshmitarin e 106-të: U rrëmbye nga tre persona me uniforma të zeza dhe emblemë të UÇK-së

Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 12:56 më 21.11.2024
Foto ilustrim

ZPS për dëshmitarin e 106-të: U rrëmbye nga tre persona me uniforma të zeza dhe emblemë të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 106-të, i cili mban kodin W04393 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe po dëshmon përmes video-lidhjes. Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori Cezary Mihailzcuk, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me 1998-ën, dëshmitari me numër W04393, u rrëmbye nga tre persona të armatosur dhe me maska që mbanin uniforma të zeza të UÇK-së dhe emblemën e UÇK-së. Atë e quan në një vend të UÇK-së dhe e mbajtën të ndaluar për disa ditë. Atij i kanë bërë pyetje anëtarët e UÇK-së dhe është keqtrajtuar në mënyrë të përsëritur”, tha prokurori.

Më pas, prokurori tha se ka disa pyetje për këtë dëshmitar e që kërkoi t’i parashtroj në sesion privat për publikun. Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues.

Sipas kryegjyqtarit, Charles Smith III, dëshmia e këtij gjyqtari pritet të zgjas më pak se një ditë seancë gjyqësore.

Ai tha se ZPS-ja ka parashtruar se i duhen rreth një orë për pyetjet e saj ndërsa ekipeve të mbrojtjes rreth një orë e 45 minuta për kundërpyetje.

Meqenëse nuk kishte kundërshtime nga ana e palëve, në prova materiale u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit që ka dhënë para autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse dhe shënimin nga seanca përgatitore.

Për këtë shënim, dëshmitari pohoi se pasqyron atë që ka thënë më herët e që të njëjtën do ta thoshte edhe sot në sallën e gjyqit në rast që pyetet.

Të gjitha këto dokumente u klasifikuan si konfidenciale me kërkesën e prokurorit, Cezary Mihailzcuk.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent përmes video-lidhjes në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe dje përfundoi dëshminë dëshmitari i 105-të i ZPS-së, me kodin W00344.

Dëshmitari i 105-të, W00344, ishte dëshmitar i mbrojtur dhe ka dëshmuar përmes video-lidhjes.

Sipas përmbledhjes së ZPS-së në gjykatë, ky dëshmitar ishte rrëmbyer nga pjesëtarët e UÇK-së në vitin 1999 dhe më pas ishte ndaluar dhe keqtrajtuar në një qendër ndalimi të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat