Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK kanë kontestuar procedurën e shqyrtimit në lexim të dytë të Projektligjit për buxhetin e vitit 2025.
Sipas tyre, ky projekt-buxhet duhet të kthehet prapa pasi është edhe anti-kushtetues.
Mirëpo këto pretendime i kanë mohuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, derisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se në bazë të vendimmarrjes së seancës do të shqyrtohet të gjitha rrjedhojat nëse ka pasur shkelje procedurale. Pas diskutimeve, partitë opozitare lëshuan sallën plenare.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se projekt-buxheti i vitit 2025 është i kontaminuar.
Ai përmendi edhe “skandalet” që sipas tij po ndodhin në Ministrinë e Bujqësisë, derisa nënvizoi edhe shmangien e procedurave për shqyrtimin në kohën e duhur të buxhetit në Kuvend.
Tahiri: Buxheti i vitit 2025 është i kontaminuar, duhet të kthehet prapa
“Kërkoj që ky buxhet mos të hidhet në votim në lexim të dytë. Tash ka dal një mori planifikimesh kriminale duke filluar nga ministria e Bujqësisë që janë planifikuar për vitin 2023, 2024 dhe fatkeqësisht do të vazhdojnë edhe në vitin 2025. Votimi i këtij projekt-buxheti do të thotë mbështetje një planifikimi kriminal mbi ato subvencione dhe grante që janë të planifikuara dhe tashmë kanë filluar t’i marrin parat. Votimi i këtij buxheti do të thotë mbështetje e këtyre skemave kriminale. Ky është buxhet i kontaminuar kryetar i Kuvendit, prandaj mendoj se ky buxhet do të duhet t’i nënshtrohet edhe një herë diskutimit”, tha ai.
Kritika adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili përmendi edhe shkeljet ligjore që sipas tij përmban Ligji për buxhetin. Ai tha se përmes një ligji që ka karakter vjetor nuk mund të ndryshohet Ligji për pagat e zyrtarëve publik dhe Ligji për tatimin në pronë.
Gashi: Projektbuxheti ka shkelje ligjore dhe kushtetuese
“Shkurtimi i afateve procedurave për trajtimin në shqyrtim të dytë dhe trajtimi në komisione nuk ka qenë në rend të ditës. Kjo ka kufizuar të drejtat dhe mundësitë e deputetëve që të japin mendimet dhe vlerësimet e tyre. Kjo është një shkelje e rënd kushtetuese duke iu pamundësuar deputetëve që të bëjnë amendamente dhe propozime pasi janë lënë vetëm dy ditë kohë për të bërë amendamente për buxhetin...Me ligjin për ndarjet buxhetore që është ligj i karakterit vjetor tentohet që ndryshohet Ligji për pagat e zyrtarëve publik. Po ashtu edhe Ligji për tatimin në pronë të paluajtshme. Të tria këto së bashku përbëjnë shkelje kushtetuese”, shtoi Gashi.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se proceudra sesi ka ardh buxheti i vitit 2025 në lexim të dytë në Kuvend do ta turpërojë përgjithmonë jetën parlamentare.
Ai tha se mazhoranca s’ka shqyrtuar as kërkesat e organizatave buxhetore si komunave të Rahovecit, Gjakovës dhe Deçanit.
Tahiri: Procedura e ardhjes së projektbuxhetit do të turpërojë legjislativin
“Procedura sesi ka ardh buxheti i vitit 2025 në leximin e dytë të Kuvendit të Kosovës e them me përgjegjësinë më të lartë të deputetit është procedura e cila do të turpërojë përgjithmonë jetën parlamentare, një shumicë parlamentare që udhëheq qeverinë. Në fund të mandatit pa pasur asnjë nevojë, pa asnjë emergjencë, pa asnjë afat kohor seanca kundërligjshëm e fut në debat trajtimin me urgjencë duke mbytur dhe ngulfatur mundësinë e të zgjedhurve të popullit që të marrin pjesë, diskutojnë dhe kontribuojnë në hartimin e buxhetit të shtetit”, theksoi ai.
Përgjigje ndaj këtyre pretendimeve dha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se në bazë të vendimeve që merren në seancë do të trajtohen në kryesi nëse ka pasur shkelje procedurale.
Konjufca: Pretendimet e opozitës do të shqyrtohen në kryesi
“Në bazë të vendimeve që merren mundemi t’i trajtojmë në kryesi dhe pastaj i shqyrtojmë rrjedhojat nëse ka pasur shkelje procedurale”, deklaroi Konjufca.
Në debat u përfshi edhe deputeti i LVV-së, njëherësh kryetar i komisionit për buxhet, Armend Muja, i cili tha se të gjitha kërkesat e komunave janë shqyrtuar në komision, mirëpo që ato amendamente nuk kanë marrë mbështetje në komision dhe rrjedhimisht s’mund të procedohen në Kuvend.
Muja: Të gjitha kërkesat e organizatave buxhetore janë shqyrtuar në Komisionin për buxhet
“Komisioni për buxhet i ka trajtuar të gjitha kërkesat nga komuna e Rahovecit, Gjakovës dhe Deçanit. Ato janë trajtuar siç janë trajtuar të gjitha kërkesat buxhetore edhe të institucioneve qendrore. Ekziston një mundësi që kolegu i tij mos të ketë qenë prezentë në ato momente. Por këtë ka diskutuar komisioni dhe nuk i ka mbështetur. Rrjedhimisht nuk mund të portretizohen si amendamente në momentin kur nuk i mbështet komision. E dyta të gjitha amendamentet dhe kërkesat që kanë ardh brenda afateve dhe janë sjell në komision ne i kemi trajtuar”, theksoi Muja.
Pas këtyre diskutimeve, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e lëshuan sallën e seancave plenare.