LIVE: “Dil thuj, se ke luftu në UÇK”, përplasje të ashpra në Kuvend - ndërhyn Konjufca

Aktuale

LIVE: “Dil thuj, se ke luftu në UÇK”, përplasje të ashpra në Kuvend - ndërhyn Konjufca

Nga: Bota sot Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 07:11 Përditësuar në ora: 14:17 më 21.11.2024
Kuvendi i Kosovës

​Përplasen ashpër Gani Krasniqi i LVV-së dhe Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi është përplasur me deputetin e pavarur, Haki Abazi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet në lexim të dytë, Projektligji për buxhetin e vitit 2025.

Pasi Abazi adresoi një mori akuzash ndaj partisë në pushtet, deputeti i LVV-së, Gani Krasniqi tha se s’mundet t’iu mbajë moral Haki Abazi, pasi siç tha ai ia njeh “plancin e tij”

Krasniqi: Haki Abazi s’mundet në na mbajë moral, ia njoh “plancin e tij”

“Kur dëgjoj këtu parafolësit të cilët ishin, sikur mos t’i njoh drejtpërdrejtë secilin veç e veç se kush janë çka kanë bërë dhe tek kanë bërë, të jeni të bindur edhe unë do të kisha menduar me kallë këtë kuvend apo me shkua me rrënuar qeverinë. Por kur i di punët e tyre, angazhimet e tyre për besë nuk di çfarë t’i them vetit... Nuk jemi këtu për të na mbajtur moral se kush është Haki Abazi, që doli të flas për fashizmin, e të gjitha tjerat. Secili që del të flet për veti, të ngrit çështje të cilat ngritën, e jo këtu të thirren me emër e mbiemër, aq ma pak Haki Abazi atje, që ia njoh edhe plancin e tij”, është shprehur Gani Krasniqi.

Atij i reagoi Abazi, i cili i kërkoi deputetit të pushtetit të flet me fakte derisa tha se kjo gjuhë e tij po konfirmon fushatën fashiste të LVV-së.

Abazi: Kjo që po e thua konfirmon fushatën fashiste të LVV-së

“Dil fol këtu qartazi për çka e ki fjalën. Fol me fakte. Ti çka po thua po konfirmon fushatën fashiste dhe kontrabandës së lajmeve të rrejshme që keni lëshua nga LVV-ja. Pikërisht është ajo gjuhë. Dil thuaje Gani Krasniqi, se je burrë ke luftu në UÇK. Çka?”, tha ai.

Në debat u përfshi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili kërkoi nga deputetët të kenë kujdes me fjalorin ndaj njëri-tjetrit.

Konjufca: Deputetë kujdes me fjalorin

“Kujdes fjalorin deputet. Kujdes fjalorin ndaj njëri-tjetrit. Më shumë respekt”, tha ai.

Kuvendi po vazhdon shqyrtimin e projektligjit për buxhetin 2025 në leximin e dytë. 

Vitia: Buxheti për Shëndetësi është trefishuar, pjesa më e madhe e tij i kushtohet Onkologjisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se buxheti i kësaj ministrie për vitin 2025 është trefishuar, madje në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit është rritur për 20 për qind.

Tutje, ministri shton se shumica e buxhetit është për Klinikën e Onkologjisë, ku do futen terapi kryesisht për kancer të gjirit dhe melanomë.

“Nga viti 2021, tashmë është trefishuar buxheti i barnave esenciale, dhe për vitin 2025 ky buxhet është rritur edhe për 20 për qind, ku pjesa më e madhe e këtij buxheti është për pjesën e Klinikës Onkologjike, ku do të futen terapi, sidomos në raport me kancerin e gjirit dhe melanomën, por jo vetëm”, tha Vitia.

“Thash të ju njoftoj se është një shifër mbi 5 milionë euro, të cilat do të përfshihen edhe në zgjerimin e indikacioneve të barnave ekzistuese por edhe në futjen e barnave të reja në këtë listë të re esenciale për vitin 2025”.

Bogujevci e VV i thotë “ec more baju” Haki Abazit, ky i fundit ia përmend 100 mijë eurot

Pas përplasjes mes deputetëve Gani Krasniqi dhe Haki Abazi, është përfshirë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Pasi Abazi e përfundoi replikën ndaj Krasniqit, Bogujevci dëgjohet duke thënë “… me i linçu njerëzit edhe me rrejt. Qyky, qyky më fol mu për fakte”.

Më pas Abazi tha “100 mijë, 100 mijë”.

Deputetja e VV’së iu drejtua duke i thënë atij “ec more baju”.

​Pacolli i përgjigjet Kadrijajt me mbishkrim kundër AAK-së: 1 milion euro për ...

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka reaguar pasi në foltoren e Kuvendit të Kosovës është vendosur mbishkrimi “Fitore Pacolli 200.000 euro, Gratë e Krushës 0 euro”.

Ajo e ka mbuluar këtë mbishkrim me një tjetër:

“Albana Bytyqi 1 milion euro nga komuna e Rahovecit”.

Këto përplasje në Kuvendin e Kosovës po ndodhin duke iu referuar granteve që familja e deputetes nga partia në pushtet, Fitore Pacollit, ka përfituar nga Ministria e Bujqësisë e cila drejtohet nga ministri, Faton Peci.

​Zemaj fton Kurtin në seancë të sqarohet për buxhetin e vitit 2025

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se kryeministri, Albin Kurti do duhej të merrte pjesë në seancën e sotme dhe të tregojë nëse qëllimi tij është të krijojë krizë financiare me buxhetin vjetor të vendit, duke krijuar shkelje të tij.

Të enjten ku po mbahet seanca në të cilën do të votohet në lexim të dytë për buxhetin për vitin 2025, Zemaj ka thënë se nëse qëllimi i kryeministrit Kurti është të bëjë shkelje kushtetuese brenda këtij projektligji, do duhej të kundërshtohet nga të gjithë deputetet pa dallim.

Zemaj: Kurti duhet sot këtu të paraqitet në këtë seancë dhe ta thotë qartazi, nëse është qëllimi të krijojë krizë financiare

“Mendoj se kryeministri duhet sot këtu të paraqitet në këtë seancë dhe ta thotë qartazi, nëse është qëllimi për të krijuar krizë financiare me buxhetin vjetor të Republikës së Kosovës. Duke krijuar precedent të shkeljeve kushtetuese brenda këtij projektligji, atëherë duhet të thotë dhe të del të deklarojë qëllimin e tij, i cili qëllim duhet të kundërshtohet nga të gjithë deputetet këtu pa përjashtim, jo vetëm nga LDK. Sepse dokumentet bazë edhe ato të cilat vinë nga zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës që duhej të ishin parim thelbësor, përmbajtjesor dhe i punës së komisionit në formulimin e asaj që quhet drejtësi juridike brenda e kësaj, duhet të jetë shumë e qartë, tepër koncize dhe kjo mos të lejohet”, ka thënë Zemaj.

​Opozita e lëshon sallën, e quan të kontaminuar projektbuxhetin e vitit 2025

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK kanë kontestuar procedurën e shqyrtimit në lexim të dytë të Projektligjit për buxhetin e vitit 2025. 

Sipas tyre, ky projekt-buxhet duhet të kthehet prapa pasi është edhe anti-kushtetues. 

Mirëpo këto pretendime i kanë mohuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, derisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se në bazë të vendimmarrjes së seancës do të shqyrtohet të gjitha rrjedhojat nëse ka pasur shkelje procedurale. Pas diskutimeve, partitë opozitare lëshuan sallën plenare.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se projekt-buxheti i vitit 2025 është i kontaminuar. 

Ai përmendi edhe “skandalet” që sipas tij po ndodhin në Ministrinë e Bujqësisë, derisa nënvizoi edhe shmangien e procedurave për shqyrtimin në kohën e duhur të buxhetit në Kuvend.

Tahiri: Buxheti i vitit 2025 është i kontaminuar, duhet të kthehet prapa

“Kërkoj që ky buxhet mos të hidhet në votim në lexim të dytë. Tash ka dal një mori planifikimesh kriminale duke filluar nga ministria e Bujqësisë që janë planifikuar për vitin 2023, 2024 dhe fatkeqësisht do të vazhdojnë edhe në vitin 2025. Votimi i këtij projekt-buxheti do të thotë mbështetje një planifikimi kriminal mbi ato subvencione dhe grante që janë të planifikuara dhe tashmë kanë filluar t’i marrin parat. Votimi i këtij buxheti do të thotë mbështetje e këtyre skemave kriminale. Ky është buxhet i kontaminuar kryetar i Kuvendit, prandaj mendoj se ky buxhet do të duhet t’i nënshtrohet edhe një herë diskutimit”, tha ai.

Kritika adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili përmendi edhe shkeljet ligjore që sipas tij përmban Ligji për buxhetin. Ai tha se përmes një ligji që ka karakter vjetor nuk mund të ndryshohet Ligji për pagat e zyrtarëve publik dhe Ligji për tatimin në pronë.

Gashi: Projektbuxheti ka shkelje ligjore dhe kushtetuese

“Shkurtimi i afateve procedurave për trajtimin në shqyrtim të dytë dhe trajtimi në komisione nuk ka qenë në rend të ditës. Kjo ka kufizuar të drejtat dhe mundësitë e deputetëve që të japin mendimet dhe vlerësimet e tyre. Kjo është një shkelje e rënd kushtetuese duke iu pamundësuar deputetëve që të bëjnë amendamente dhe propozime pasi janë lënë vetëm dy ditë kohë për të bërë amendamente për buxhetin...Me ligjin për ndarjet buxhetore që është ligj i karakterit vjetor tentohet që ndryshohet Ligji për pagat e zyrtarëve publik. Po ashtu edhe Ligji për tatimin në pronë të paluajtshme. Të tria këto së bashku përbëjnë shkelje kushtetuese”, shtoi Gashi.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se proceudra sesi ka ardh buxheti i vitit 2025 në lexim të dytë në Kuvend do ta turpërojë përgjithmonë jetën parlamentare.

Ai tha se mazhoranca s’ka shqyrtuar as kërkesat e organizatave buxhetore si komunave të Rahovecit, Gjakovës dhe Deçanit.

Tahiri: Procedura e ardhjes së projektbuxhetit do të turpërojë legjislativin

“Procedura sesi ka ardh buxheti i vitit 2025 në leximin e dytë të Kuvendit të Kosovës e them me përgjegjësinë më të lartë të deputetit është procedura e cila do të turpërojë përgjithmonë jetën parlamentare, një shumicë parlamentare që udhëheq qeverinë. Në fund të mandatit pa pasur asnjë nevojë, pa asnjë emergjencë, pa asnjë afat kohor seanca kundërligjshëm e fut në debat trajtimin me urgjencë duke mbytur dhe ngulfatur mundësinë e të zgjedhurve të popullit që të marrin pjesë, diskutojnë dhe kontribuojnë në hartimin e buxhetit të shtetit”, theksoi ai.

Përgjigje ndaj këtyre pretendimeve dha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se në bazë të vendimeve që merren në seancë do të trajtohen në kryesi nëse ka pasur shkelje procedurale.

Konjufca: Pretendimet e opozitës do të shqyrtohen në kryesi

“Në bazë të vendimeve që merren mundemi t’i trajtojmë në kryesi dhe pastaj i shqyrtojmë rrjedhojat nëse ka pasur shkelje procedurale”, deklaroi Konjufca.

Në debat u përfshi edhe deputeti i LVV-së, njëherësh kryetar i komisionit për buxhet, Armend Muja, i cili tha se të gjitha kërkesat e komunave janë shqyrtuar në komision, mirëpo që ato amendamente nuk kanë marrë mbështetje në komision dhe rrjedhimisht s’mund të procedohen në Kuvend.

Muja: Të gjitha kërkesat e organizatave buxhetore janë shqyrtuar në Komisionin për buxhet

“Komisioni për buxhet i ka trajtuar të gjitha kërkesat nga komuna e Rahovecit, Gjakovës dhe Deçanit. Ato janë trajtuar siç janë trajtuar të gjitha kërkesat buxhetore edhe të institucioneve qendrore. Ekziston një mundësi që kolegu i tij mos të ketë qenë prezentë në ato momente. Por këtë ka diskutuar komisioni dhe nuk i ka mbështetur. Rrjedhimisht nuk mund të portretizohen si amendamente në momentin kur nuk i mbështet komision. E dyta të gjitha amendamentet dhe kërkesat që kanë ardh brenda afateve dhe janë sjell në komision ne i kemi trajtuar”, theksoi Muja.

Pas këtyre diskutimeve, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e lëshuan sallën e seancave plenare.

Deputetët e LDK-së dhe AAK-së lëshojnë seancën

Deputetet e LDK-së dhe AAK-së e kanë lëshuar seancën në të cilën është shqyrtuar Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025..

Nga këto parti kanë kërkuar që ky projektligj të rikthehet në rishqyrtim, pasi sipas tyre është shqyrtuar në procedurë të përshpejtuar dhe ka shkelje kushtetuese.

​Shqyrtimi i buxhetit, Osmani u kërkon deputetëve mjete shtesë për FSK-në

Gjatë fjalimit vjetor para deputetëve, presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje deputetëve që të paraqesin amendamente dhe të propozohet që buxhetit për FSK-në t’i shtohet shuma e duhur “që ushtarakët tanë të kenë shtesat e rrezikshmërisë, ato për jashtë orarit të punës dhe mëditjet për trajnimet mbi një muaj”. Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar në lexim të dytë buxhetin për vitin 2025.

Osmani: Armatimi ka kuptim kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar e i mbështetur

"Mirëqenia ekonomike e sociale e ushtarakëve tanë, motivimi i tyre, mbështetja e avancimit të tyre profesional duhet po ashtu të shndërrohen në prioritet. Armatimi ka kuptim kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar e i mbështetur. Në këtë frymë angazhimi ynë i çdo ditshëm duhet të jetë në drejtim të arritjes së këtij qëllimi. Të nderuar deputetë, hapin e parë mund ta bëni qysh sot. Praktika e Kuvendit ju lejon nëpërmjet procedurës së shmangies të paraqitni amendamente edhe në seancë, shfrytëzojeni këtë mundësi që të propozohet buxhetit të FSK-së t’i shtohet shuma e duhur në mënyrë që ushtarakët tanë të kenë shtesa të rrezikshmërisë, ato për jashtë orarit të punës si dhe mëditje për trajnime mbi një muaj. Ky do të ishte kontribut i jashtëzakonshëm në fuqizimi ne ushtrisë sonë, dje një laj i mirë në fund vit për secilit që sot i shërben atdheut. Kjo duhet të bëjë në momentin e parë te rishikimit të buxhetit", tha ajo.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ka theksuar se rruga deri te shteti që e gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë.

Osmani: Rruga deri te shteti që e gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë

“Populli ynë ka humbur edhe më të shtrenjtën, duke përfshirë edhe fëmijët në djep, në mënyrë që sot të frymojmë lirinë. Bashkëdyzimi i vizionit të binomit Ibrahim Rugova – Adem Jashari, nëpërmjet luftës çlirimtare të UÇK-së, në njërën anë dhe ndërtimit të shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, shumë të forta, aq të forta sa që nuk ka forcë dhe nuk ka sfidë që mund t’i rrënojë ato”, tha ajo.

Projekt buxheti 2025 kap vlerën 3.6 miliiardë euro apo 9 për qind më i madh se në vitin 2024.

Tahiri kërkon sqarim për mostrajtimin e organizatave buxhetore

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në bazë të informacioneve që ka marrë nga deputeti Palë Lekaj i cili është në Komisionin për Buxhet dhe Ekonomi, tregojnë se ka shkelje të plasimit të buxhetit në seancën e cila ka nisur sot në Kuvend.

Ai kërkoi sqarim në lidhje me kërkesat të cilat sipas tij nuk janë trajtuar nga organizatat buxhetore.

“Kjo lidhet me mostrajtimin dhe mos-sjelljen në Kuvend të kërkesave buxhetore që vijnë prej organizatave buxhetore.

Asnjë kërkesë e asnjë organizate buxhetore, op flas për kërkesa që vijnë nga komuna që udhëhiqen nga AAK-ja, kërkesa nga komuna e Rahovecit që nuk janë trajtuar e që janë gjashtë, tre janë nga Gjakova dhe një kërkesë që vjen nga Deçani”, tha Tahiri.

Tahiri nga PDK-ja: Ky është buxhet i kontaminuar

Shefi i grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ky buxhet është buxhet i kontaminuar.

Sipas tij votimi i këtij projekt buxheti do të thotë mbështetje e skemave kriminale.

“Kërkoj që ky buxhet të mos vihet fare në lexim të dytë. Kanë dal një mori ngjarjesh kriminale. Votimi i këtij projekt buxheti do të thotë mbështetje e këtyre skemave kriminale. Ky është buxhet i kontaminuar. Duhet t’i nënshtrohet një diskutimi të thellë dhe jo në procedura të përshpejtuara. Këta njërz që kanë marrë skemat kriminale, 30 për qind nga subvencionet dhe grantet do t’i marrin edhe vitin tjetër. Kërkoj që ky projekt të kthehet prapa”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat