Presidentja Osmani: Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur – flet për dialogun dhe asociacionin, ‘godet’ Lajçakun, i beson Amerikës

Aktuale

Presidentja Osmani: Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur – flet për dialogun dhe asociacionin, ‘godet’ Lajçakun, i beson Amerikës

Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 10:36 më 21.11.2024
Vjosa Osmani

Osmani në adresimin vjetor flet për Dialogun dhe Asociacionin – ‘godet’ Lajçakun, i beson Amerikës

Presidentja Vjosa Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur për Dialogun dhe Asociacionin.

“Dialogu me Serbinë i udhëhequr nga BE-ja, fatkeqësisht ka qenë komplet i pabalansuar me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm të Serbisë. Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë”.

“Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetë-reflektojmë për rrugën e deritanishme dhe si mund të bëhen gjërat më mirë. Më duhet të theksoj me keqardhje, që propozimet që shpesh kam bërë për përmirësimin e këtij procesi, janë ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta, që nuk i kanë hije askujt në Kosovë”.

“Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse, kam besuar se një draft statut ku mbrohet kushtetuta, mbrohet sovraniteti, mbrohen kufijtë tanë dhe mbrohet funksionaliteti i shtetit, më mirë hartohet nga vet ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa “ekspertë të jashtëm”, që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”, tha Osmani në adresimin vjetor.

“Fatkeqësisht ky propozim i imi atëherë ishte goditur në mënyrën më të ulët, me lloj- lloj shpifjesh deri tek shpifjet për tradhti kombëtare. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur. Njësoj po ndodhë edhe këto ditë, me lloj- lloj shpifjesh të ulëta se kinse Presidentja po kërkon “nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes”. Kjo është gënjeshtër”.

:Ajo çfarë kam thënë është që 1/ zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe 2. Si alternative, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes (gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan), atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë nëpërmjet BSA-së, si dhe mbshtetje për njohje të reja. Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”, tha presidentja.

Presidentja në adresimin vjetor: Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur, mbrojtja e saj është betimi i përjetshëm

Presidentja Vjosa Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ka thënë se “Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur”.

“Përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. E po kështu, shtohet përkushtimi dhe mobilizimi ynë për t’i parandaluar ato”.

“24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë për shkak të agresionit serb, ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes, heroi ynë, Afrim Bunjaku me shokë, i treguan Serbisë dhe dashakeqëve se Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur dhe se mbrojtja e saj është betimi ynë i përjetshëm. Ende, 424 ditë më pas, nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë”, tha ajo në adresimin vjetor.

“Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve tjera të rajonit për paqe, siguri e stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke i shërbyer agjendës së Rusisë së Putinit, me format më perfide të luftës hibride, në mbajtjen e tensioneve të vazhdueshme, duke synuar shkatërrimin e vendeve fqinje”.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë dhe do të qëndrojnë fuqishëm mbi vlerat e lirisë, paqes, demokracisë, përderisa institucionet tona vendore të sigurisë dhe mbrojtjes janë të përkushtuara maksimalisht që në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë të sigurisë, të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror, si dhe të sigurojnë zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve e të mbrojnë jetën, pronën, lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”.

Osmani: Luajtja bixhoz me aleancat tona, rrezikon mbrojtjen e Republikës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj para deputetëve ka folur edhe për ruajtjen e raporteve me miqtë dhe partnerët ndërkombëtar.

Osmani ka thënë se bashkëpunimi me ta nuk nënkupton nënshtrim e as shantazhim.

Madje ajo ka thënë se rrezikimi apo luajtja bixhoz me raportet me miqtë cenon mbrojtjen e Republikës së Kosovës.

“Dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e shantazhim. Forca jon ëmë e madhe qëndron pikërisht në partneritet tona.  Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido prej nesh si politikan. .Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vet mbrojtjen e Republikës sonë”, ka thënë Osmani ndër të tjera në fjalimin e saj para deputetëve.

Presidentja Osmani: Për herë të parë në histori, Kosovës iu hapën dyert edhe në Samitin e NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ka theksuar se për herë të parë në histori, Kosovës iu hapën dyert edhe në Samitin e NATO-s.

“Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara, si dhe me partnerët e tjerë në Evropë e përtej, riafirmojnë rolin tonë si një forcë proaktive për paqen dhe zhvillimin në rajonin tonë dhe më gjerë”.

“Pjesëmarrja jonë aktive në samite dhe forume ndërkombëtare, ka fuqizuar gjithnjë e më shumë zërin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Për herë të parë në histori, Kosova është ftuar në samite edhe të organizatave ku nuk është anëtare, siç ishte samiti i NATO-s dhe organizime të tjera ndërkombëtare ku dëshmuam se rëndësia e një shteti nuk përcaktohet vetëm nga madhësia gjeografike apo ekonomia, por edhe nga rrëfimi ynë, shembulli që japim si dhe vlerat që mbrojmë”, tha Osmani në adresimin vjetor.

“Veprimet e politikës sonë të jashtme janë shtrirë edhe në kontinente, rajone e shtete të tjera, përtej Evropës e SHBA-ve, duke përfshirë Afrikën, Azinë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine. Kjo shtrirje është më shumë se simbolike, ngase përfaqëson aspiratën tonë për bashkëpunim gjithëpërfshirës që i kapërcen kufijtë apo distancat gjeografike”.

“Vetëm deri tani në vitin 2024, kam realizuar dhjetëra vizita ndërkombëtare e qindra takime me liderë dhe palë të interesuara nga i gjithë bota. E këto vizita e komunikime në interes të Kosovës do të vazhdojnë edhe në pjesën e mbetur të vitit dhe tutje përgjatë gjithë angazhimit tim politik. Çdo vizitë ka hapur kapituj të rinj bashkëpunimi në fushat nga siguria deri te zhvillimi ekonomik. Veçanërisht, politika jonë e jashtme proaktive ka adresuar interpretimet e veprimet dashakeqe nga Serbia në lidhje me atë se çfarë është e çfarë përfaqëson sot Kosova. Përgjigja ka qenë përherë një dhe e vetme: Kosova e lirë, e pavarur, sovrane e demokratike është një realitet i pakthyeshëm”, tha tutje Osmani.

Osmani: Binomi Rugova – Jashari dhe guximi i pashoq i UÇK-së, bazament i themeleve të forta të shtetit tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ka theksuar se rruga deri te shteti që e gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë.

“Populli ynë ka humbur edhe më të shtrenjtën, duke përfshirë edhe fëmijët në djep, në mënyrë që sot të frymojmë lirinë. Bashkëdyzimi i vizionit të binomit Ibrahim Rugova – Adem Jashari, nëpërmjet luftës çlirimtare të UÇK-së, në njërën anë dhe ndërtimit të shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, shumë të forta, aq të forta sa që nuk ka forcë dhe nuk ka sfidë që mund t’i rrënojë ato”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, sot, sikurse gjithnjë nderojmë vizionin e atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Rugova si dhe përkulemi para sakrificës dhe guximit të pashoq të Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të secilit pjesëtar të UÇK-së.

“Vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor qëndrojnë në themelet e shtetit tonë,  ndaj mbeten qendrore edhe përcaktuese për të ardhmen tonë”, është shprehur Presidentja Osmani.

AAK e PDK bojkotojnë adresimin e Osmanit – LDK merr pjesë

Lidhja Demokratike e Kosovës është prezente në Kuvendin e Kosovës ku pas pak pritet të nisë adresimi i presidentes Vjosa Osmani.

Ndërkaq AAK-ja dhe PDK-ja kanë vendosur që ta bojkotojnë fjalimin e saj.

 

Ky grup parlamentar refuzon pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin e presidentes

Grupi Parlamentar i PDK-së, ka bërë të ditur se nuk do të marr pjesë në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani.

“Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, ngase e njëjta ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

“Znj. Osmani si presidente duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e politikës së jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës. Si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare”.

Tutje Grupi Parlamentar i PDK-së shton se Osmani si presidente ka vazhduar të qëndrojë e heshtur ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i qasjes destruktive të qeverisë dhe në asnjë rast të vetëm nuk është sjellë dhe nuk ka vepruar si kundër-balancuese e politikave të gabuara të qeverisë të cilat vendin e kanë ekspozuar përballë izolimit ndërkombëtar.

“Znj. Osmani edhe në vitin e katërt të mandatit të saj, ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanshmëri ndaj Albin Kurtit. Ndërkaq, edhe si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka heshtur përballë skandalit të pashembullt të dështimit të sigurimit të ushqimit për ushtrinë tonë”.

“Nga ana tjetër, ka vazhduar të hesht edhe përballë aferave të vazhdueshme korruptive të qeverisë, siç nuk e ka marrë asnjë edhe një masë për shkarkimin e protagonistit të aferës së energjisë, ambasadorit Martin Berishaj, vendimi për emërimin e të cilit e mban vulën e saj. Për më keq, ka vazhduar ta mbroj ambasadorin Berishaj dhe çdo skandal tjetër që ka ndodhur gjatë këtij viti. Edhe këtë vit, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie, por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq ka vazhduar shkeljen e saj kushtetuese për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Praktikisht në vend se të mbështeste në mënyrë institucionale pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, ajo ka penguar punën e tyre, duke penguar kështu edhe luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative”, thuhet tutje në njoftimin e PDK-së.

Tashmë kur janë mbushur gati katër vite të mandatit të saj si presidente, PDK thotë se presidentja ka dështuar për të lënë një gjurmë të vetme të suksesshme për Kosovën, ndërsa roli i saj tërësisht i pavërejtshëm është kthyer në një faktor të dëmshëm për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

“Fatkeqësisht, kontributi i vetëm i saj në këto katër vite është zbehja e rolit dhe rëndësisë së institucionit të Presidentit si dhe promovimi i gjuhës polarizuese dhe përçarëse në skenën politike. Një presidente e tillë e cila e redukton pozitën e Institucionit të Presidentit si një mekanizëm për akomodimin e interesave familjare dhe partiake nuk e meriton respektin e Grupit Parlamentar të PDK-së”.

Sot adresimi i presidentes Osmani në Kuvend

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot do të mbajë adresimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Republikës.

Kjo u bë e ditur nga Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit të Kosovës.

Ata kanë treguar se kjo seancë ka një pikë në rend të ditës, adresimin e presidentes nga ora 09:30 minuta në sallën plenare.

Ndryshe vitin e shkuar adresimi i presidentes ishte bërë më 15 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat