Haki Abazi: Buxheti s’është i bananeve dhe kondomave

Aktuale

Haki Abazi: Buxheti s’është i bananeve dhe kondomave

Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 13:38
Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, ka kritikuar buxhetin e propozuar për vitin 2025, duke e quajtur atë një plan që nuk adreson nevojat e qytetarëve, por përçan dhe izolon shtetin.

Ai theksoi se ky buxhet duhet të realizojë premtimet e bërë ndaj qytetarëve, dhe jo të përfaqësojë interesa të ngushta politike.

Abazi iu referua një deklarate të presidentes Vjosa Osmani, e cila gjatë ditës theksoi se politikat e qeverisë në katër vitet e fundit kanë çuar në përçarje dhe izolim të Kosovës.

Sipas Abazit, kjo tregon se qeveria aktuale nuk ka kapacitetin për të realizuar politikat që sjellin zhvillim dhe bashkim.

“Ky buxhet nuk është për ‘banane dhe kondoma’, ky është buxhet që duhet të realizojë premtimet për qytetarët“, tha ai.

Abazi akuzoi gjithashtu qeverinë se buxheti i propozuar është një mjet për favorizimin e individëve dhe grupeve të caktuara, duke përmendur si shembull grante dhe subvencione që, sipas tij, janë dhënë për familjarët e ministrave, duke përfshirë edhe familjen e ministres Fitore Pacolli.

“Ky nuk është buxhet i qytetarëve, por i privilegjuarve që e njohin ministrin”, tha Abazi, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për përdorimin e fondeve publike.

Ai kërkoi që deputetët të reflektojnë dhe të sigurojnë që buxheti i vitit 2025 të jetë një instrument i vërtetë për zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe jo për interesat e grupeve të caktuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat