Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi është përplasur me deputetin e pavarur, Haki Abazi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet në lexim të dytë, Projektligji për buxhetin e vitit 2025.
Pasi Abazi adresoi një mori akuzash ndaj partisë në pushtet, deputeti i LVV-së, Gani Krasniqi tha se s’mundet t’iu mbajë moral Haki Abazi, pasi siç tha ai ia njeh “plancin e tij”
Krasniqi: Haki Abazi s’mundet në na mbajë moral, ia njoh “plancin e tij”
“Kur dëgjoj këtu parafolësit të cilët ishin, sikur mos t’i njoh drejtpërdrejtë secilin veç e veç se kush janë çka kanë bërë dhe tek kanë bërë, të jeni të bindur edhe unë do të kisha menduar me kallë këtë kuvend apo me shkua me rrënuar qeverinë. Por kur i di punët e tyre, angazhimet e tyre për besë nuk di çfarë t’i them vetit... Nuk jemi këtu për të na mbajtur moral se kush është Haki Abazi, që doli të flas për fashizmin, e të gjitha tjerat. Secili që del të flet për veti, të ngrit çështje të cilat ngritën, e jo këtu të thirren me emër e mbiemër, aq ma pak Haki Abazi atje, që ia njoh edhe plancin e tij”, është shprehur Gani Krasniqi.
Atij i reagoi Abazi, i cili i kërkoi deputetit të pushtetit të flet me fakte derisa tha se kjo gjuhë e tij po konfirmon fushatën fashiste të LVV-së.
Abazi: Kjo që po e thua konfirmon fushatën fashiste të LVV-së
“Dil fol këtu qartazi për çka e ki fjalën. Fol me fakte. Ti çka po thua po konfirmon fushatën fashiste dhe kontrabandës së lajmeve të rrejshme që keni lëshua nga LVV-ja. Pikërisht është ajo gjuhë. Dil thuaje Gani Krasniqi, se je burrë ke luftu në UÇK. Çka?”, tha ai.
Në debat u përfshi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili kërkoi nga deputetët të kenë kujdes me fjalorin ndaj njëri-tjetrit.
Konjufca: Deputetë kujdes me fjalorin
“Kujdes fjalorin deputet. Kujdes fjalorin ndaj njëri-tjetrit. Më shumë respekt”, tha ai.
Kuvendi po vazhdon shqyrtimin e projektligjit për buxhetin 2025 në leximin e dytë.