Policia e Kosovës ka reaguar ndaj një dezinformate të lëshuar në mediat serbe se kinse një grup pjesëtarësh të armatosur të Policisë së Kosovës e kanë kaluar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.
Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejt të opinionit dhe qytetarëve, reagon ndaj disa shkrimeve të publikuara kryesisht në media serbe, e të cilat i referohen një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, se kinse sipas tyre një grup pjesëtarësh të armatosur rëndë të Policisë së Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.
Në reagimin e PK-së thuhet se “shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”.
“Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijoj pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”.
Më tej thuhet “Policia e Kosovës, si institucion i besueshëm dhe transparent do kujdeset në vazhdimësi që të ofrojë informacione zyrtare për media dhe opinionin e gjerë, kurdo që ato kërkohen dhe janë të nevojshme për media dhe publikun”.