Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë e Preshevës.
Në reagim thuhet se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me vëmendje fenomenin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë.
“Ky veprim përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe të standardeve për mbrojtjen e pakicave, duke privuar shqiptarët nga qasja në shërbime bazë dhe ushtrimi i të drejtave të tyre themelore”, thuhet në reagim.
Më tej kjo ministri thotë se “pasivizimi i adresave nuk është një çështje thjesht ligjore, por ka pasoja mbi jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke cenuar të drejtat dhe barazinë e tyre”.
“Ministria ka adresuar dhe do të vazhdojë të adresojë këtë çështje në dialogun me autoritetet serbe, si dhe në forume ndërkombëtare. Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave”, thuhet në reagim.