Dje Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës. Gjatë këtij adresimi, ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë, duke paralajmëruar se rrezikimi i këtyre partneriteteve mund të cenojë vetë mbrojtjen e Kosovës. "Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, ka thënë Osmani.
Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani bëri thirrje për angazhim të përbashkët në vitin 2025 për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Këshillin e Evropës dhe NATO-n. Ajo theksoi se këto aleanca janë "gur themel i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë."
Por, fjalimin e saj e ka kritikuar ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Mentor Llugaliu, përcjell Bota sot.
Ai e ka cilësuar fjalimin e Osmanit si “skandaloz”, duke thënë se ajo e vërtetoi se është udhëheqëse e “dobët” dhe se nuk e ka merituar kurrë të jetë presidente.
“Fjalimi i Presidentes Osmani në Kuvendin e Kosovës thënë më së buti ishte skandaloz.
Ajo sot foli herë si tinejxhere, herë si idhnake, herë si injorante e herë herë si recituese emocionale e poezive në ndonjë shkollë fillore të Mallakastrës.
Ajo sot ishte kritike e ashpër ndaj gjërave të mira, e heshti para gjërave të kqija. Me thirrjen për servilizim të verbër ndaj atyre që kundërshtuan shtrirjen e sovranitetit në veri, tërthorazi kundërshtoi shtirjen e sovranitetit të shtetit të vet në tërë territorin e vet.
Sot ajo heshti për korrupsionin, për stagnimin ekonomik, zhvillimor, shëndetësor, infrastrukturor, kulutoror, ambiental e shumë e shumë stagnime të tjera. Sot ajo rifilloi me recitu fraza bajate të ish partisë së saj mbi aleanca të paqena e iluzione politiko-diplomatike.
Sot ajo e vulosi që është Presidente e keqe, udhëheqëse e dobët, grindavece e lidere e papjekur politikisht e intelektualisht.
Sot ajo vërtetoi se kurrë nuk e ka meritu të jetë Presidente!”, ka shkruar Llugaliu në një postim në Facebook.
Fjalimi i Presidentes Osmani u bojkotua nga dy prej tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat e akuzuan atë për njëanshmëri ndaj kryeministrit Albin Kurti./Botasot