Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka mbajtur sot diskutim me shoqërinë civile mbi raportin e progresit për Kosovën me temën “Sa relevant është ky raport”.
Ambasadori i Zyrës së BE-së Aivo Orav ka folur rreth përgatitjes së Raportit të Progresit 2024 nga ana e Bashkimit Evropian.
Orav: BE-ja përgatit raportet për shtete të caktuara
“Kur BE-ja përgatit raportin për shtetet e caktuara, posaçërisht për shtete që aspirojnë t’i bashkëngjiten BE-së, atëherë kontributi nga shteti, qeveria, opozita dhe shoqëria civile është me rëndësi të madhe...", tha Orav.
Drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëresha Loxha ka folur mbi implementimin e ligjeve në administratën publike.
Loxha: Këtë vit kemi progres të limituar në reformën e administratës publike
"Ne kemi pasur edhe shumë vërejtje të tjera që lidhen me procesin se si janë hartuar, por gjithashtu edhe përmbajtja e këtyre ligjeve... Në shumicën e rasteve miratimi i ligjeve bëhet pa konsultim të mirëfilltë publik", tha Loxha.
Drejtoresha në Rrjetin e Grave të Kosovës, Nicole Farnsworth ka folur mbi rëndësinë e përfaqësimit të barabartë gjinor.
Farnsworth: Vlerësimi i impaktit gjinor të bëhet për çdo legjislacion
"... Qeveria duhet të sigurojë që vlerësimi i ndikimit gjinor të bëhet njësoj si në vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe sociale dhe të tjera, të bëhet në çdo pjesë të legjislacionit, si pjesë e politikave të procesit, me qëllim të sigurimit të përfshirjes gjinore", u shpreh ajo.
Në diskutim është folur edhe mbi sigurinë e gazetarëve dhe gjendjen e mediave.