Sot është bërë përurimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mamushë, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se kjo QKMF do të ofrojë shërbime laboratorike dhe shërbime të diagnostikës, dhe është e pajisur me aparatin për rëntgen, i cili është siguruar si donacion nga Ambasada Japoneze.
Ajo ka dy dhoma për dhënien e terapisë intravenoze, barnatore dhe kushte të përshtatshme për stafin mjekësor. Krahas shërbimeve tjera ofron edhe shërbimin stomatologjik.
Kryeministri Kurti i uroi banorët për QKMF-në dhe u shpreh se do të vazhdohet të investohet në infrastrukturën shëndetësore.
“Jemi bërë bashkë sot këtu që ta përurojmë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Mamushës. Kjo qendër kryesore lehtëson qasjen e qytetarëve të Mamushës në shërbime shëndetësore sipas standardeve më të larta. Ky projekt në vlerë prej saktësisht 757 mijë 608 euro e 37 cent, 90 për qind të mjeteve janë siguruar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq, dhjetë përqindëshi tjetër nga Komuna, përmban podrumin, përdhesën dhe katin e parë”.
“Në çdo cep të Republikës pa dallim do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore që të ofrojmë shërbime cilësore dhe kushte të dinjitetshme, sikurse për profesionistët tanë ashtu edhe për qytetarët tanë pa dallim. Investimet e tjera, specifikisht këtu në Mamushë nuk po mungojnë, e nuk do të mungojnë asnjëherë, por do të shtohen gjithsesi”, është shprehur ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh i lumtur që gjendet në Mamushë, duke shtuar se përveç investimeve në infrastrukturë, po vazhdojnë edhe me investime në pajisje, automjete dhe autoambulanca.
“Kujdesi parësor shëndetësor është pjesa më e rëndësishme e sistemit tonë shëndetësor dhe investimet në këtë pjesë janë shumë- shumë të rëndësishme. Sot po e hapim QKMF në Mamushë dhe siç e përmendi edhe kryeministri, janë edhe katër qendra të tjera që po punohet nëpër komunat e Republikës, me investim shumicën nga Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh ministri Vitia.