Policia e Kosovës gjatë tri ditëve të fundit ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi në veri të vendit.
Në reagimin e tij, kryeministri Albin Kurti ka thënë se thirrjet për inspektim vijnë nga qytetarët e thjeshtë që alarmojnë policinë.
“Siguria e njerëzve dhe siguria e të gjithë vendit mbeten një prioritet kyç për qeverinë tonë, veçanërisht kur përballemi me kërcënime të tilla të afërta për sigurinë tonë kolektive”, ka shkruar Kurti në X.
Në lidhje me kapjen e kësaj sasie armatimi ditë më parë ishte deklaruar edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
“Këto nuk janë thjesht mbetje të bandave kriminale e terroriste serbe, por edhe vendstrehim i armëve për planifikimet e tyre të errëta. Si Qeveri e Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera jemi të përcaktuar qartë që rendi juridik e kushtetues, sovraniteti e integriteti, rendi dhe ligji, liria, barazia e drejtësia do të mbizotërojnë gjithandej shtetit tonë”, pati deklaruar ai.