Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, fillon dëshminë Halil Çadraku -përfaqësohet nga avokati Arianit Koci

Aktuale

Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, fillon dëshminë Halil Çadraku -përfaqësohet nga avokati Arianit Koci

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 07:22 Përditësuar në ora: 14:00 më 25.11.2024
Halil Çadraku dhe Arianit Koci

Çadraku flet për rolin e tij si shef i ZKZ-së: Brenda strukturave okupatore kishte shqiptarë, më vjen turp për ata

Dëshmitari Halil Çadraku foli të hënën në Hagë për rolin e tij si pjesë e G2-shit apo sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën Operative të Pashtrikut.

Ai e bëri dallimin në mes sektorit të Zbulimit dhe atij të Kundërzbulimit, për çka tha se ky sektor i fundit mblidhte informacione sa u takon elementeve të dëmshme për UÇK-në.

Dëshmitari tha se pjesë e këtyre elementeve apo strukturave okupuese kishte edhe shumë shqiptarë, për të cilët ai tha se i vije turp. Tha se këto shërbime serbe ishin të sofistikuara dhe përdornin forma të ndryshme që të zbulohej informacion nga UÇK-ja dhe shtoi se brenda tyre kishte edhe shqiptarë.

“Brenda strukturave të shtetit serb ka pas shumë struktura ilegale, shumë struktura të hapura të UDB-së që ishin pjesë e Sigurimit Shtetëror, që ishin pjesë e Milicisë serbe apo ish-pjesëtarë të Milicisë serbe sepse ata kanë shfrytëzuar të gjitha resurset e tyre ose me dëshirë ose me shantazh dikë kanë mujt ta shantazhojnë. Por, ka pas elemente shqiptare brenda këtyre edhe pse ishin strukturë serbe, strukturë okupatore”, tha Çadraku.

Ai u pyet se nga e dinte se pjesë e këtyre strukturave kishte shqiptarë.

“Sigurimi shtetëror në ato vende ku kam jetuar unë, Rahovec, Prizren dhe qytetet të tjera, të gjithë pjesëtarët e UDB-së kanë qenë shqiptarë. Brenda UDB-së ka pas disa. Veç Prizreni i ka pas 10 apo 12 dhe të gjithë ishin trupërisht shqiptarë për të cilët më vjen turp mua për ata, por ata edhe pse sot ndoshta mund të ndihen krenarë për atë punë që kanë bërë, por ata kanë qenë pjesë e UDB-së deri vonë, ashtu kishte edhe Rahoveci, e ashtu kishin edhe qytetet e tjera. Ata janë me emra-mbiemra, i njeh bota, i njeh Kosova, i njihni edhe ju ndoshta”, deklaroi Çadraku .

Sipas tij, këta persona i kanë njohur me emra sepse ata nuk e kanë fshehur veten e tyre kurrë për atë që ishin.

“Atyre personave ua kemi ditur emrin edhe para ’98-ës e ’99-ës”, tha dëshmitari.

Fillimisht, dëshmitari tregoi se kush ishte pjesë e ZKZ-së, sektorë këta që për të dyja shef ishte vetë Çadraku që nga janari i ’99-ës.

“Unë kam qenë Shef i të dy sektorëve, sektorit të Zbulimit dhe sektorit të Kundërzbulimit. Shef i sektorit të Zbulimit ka qenë deri më 2 maj, Xhavit Bajraktari dhe pas vrasjes se tij, atë e ka zëvendësuar Isuf Krasniqi- Mësuesi. Kurse në Sektorin e Kundërzbulimit ka qenë Nezir Çoçaj, e unë kam qenë shef i Zbulim-Kundërzbulimit, të dyjave”, tha Çadraku.

Ai tha se edhe një grua që quhej Shefkie Gashi me nofkën “Peka”, ishte pjesë e zyrës së G2-shit.

“Që nga shkurti i ’99-ës ka qenë edhe Shefkie Gashi apo Peka Gashi, pjesë e zyrës tonë. Peka në atë kohë e kishte rolin e analizave edhe të përshkrimit të situatave apo formave që ne kishim nevojë të raportonim apo të mësonim”, tha Çadraku.

Dëshmitari Çadraku foli edhe për detyrën e tij, duke treguar se kur e mori detyrën u mundua ta konsolidojë sektorin, gjë të cilën sipas tij nuk e arriti në tërësi.

“Detyra ime që nga janari kur e kam marrë, ka qenë ruajtja, mbrojtja e të gjitha formacioneve tona ushtarake dhe territorit sado të lirë që ne operonim, që ta ruajmë dhe mbrojmë nga armiqtë dhe ata që duan të na bënin dëme neve. Fillimisht, kur unë e mora këtë detyrë kam ardhë në Kosovë, asgjë nga ky sektor nuk ishte formuar brenda Zonës Operative të Pashtrikut ku unë isha emëruar, brenda atyne brigadave që operonin brenda vendit se ishin përafërsisht pesë brigada që operonin. Shumicën e kohës kam tentuar që të bënim organizimin, plotësimin, emërimin e sektorëve nga lart-poshtë. Nuk kishim kohë të mjaftueshme për ta realizuar këtë sepse ndodhën shumë gjëra, ndodhën shumë operacione, luftime, por detyra ime në atë kohë ka qenë përafërsisht konsolidimi i sektorit tim nga Zona Operative e Pashtrikut e teposhtë, në Brigada e batalione e kompani”, tha Çadraku.

Dëshmitari tha se rol i tij ishte grumbullimi i informacionit, analizimi dhe raportimi tek komandanti që sipas tij, komandant i tij ishte Drini e më vonë Tahir Sinani.

“Roli im ka qenë grumbullimi i secilit informacion që të kemi të qartë me çka disponojmë si në njerëz, si me atë se çfarë ishim të rrethuar sepse ne ishim të rrethuar me shumë forca armiqësore. Prandaj, në këtë aspekt roli im ka qenë grumbullimi, analizimi edhe raportimi apo njoftimi i komandantit tim. Komandanti im atëherë ishte Drini, e më vonë Tahir Sinani për situatën që na rrethonte në secilin vend e në secilën brigadë”, tha dëshmitari.

Çadraku shtoi se në sektorin e zbulimit, në kushte normale bënte zbulimin e forcave të armikut, vlerësimin e tj, vlerësimin e rrezikshmërisë së fatkeqësive.

Ndërsa, në bazë të asaj që ia kishte shpjeguar Komandant Drini, dëshmitari tha se sektori i Kundërzbulimit e kishte për detyrë ruajtjen e territorit nga elemente të jouniformuara, por që ndoshta do të ishin më të dëmshme se forcat e armikut.

Veç tjerash, dëshmitari tha se shpesh civilët raportonin se një person ishtebashkëpunëtor. Si rrjedhojë, Çadraku tha se bëhej analiza e biografisë, historikut dhe personit në fjalë që vendosej më pas se a duhej të njoftoheshin rojet apo jo.

Dëshmitari pohoi se në Zonën Operative të Pashtrikut kishte postblloqe të cila sipas tij janë vendosur në ato vende ku kishte rrezik që të hynin persona të paautorizuar me qëllim legjitimimi dhe ruajtje territori. Tha se për herë të parë janë ngritur në fshatin Drenoc më 26 prill të 1998-ës.

Dëshmitari Çadraku flet për katër të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së

Dëshmitari Halil Çadraku gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të hënën ka folur për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë katër të akuzuarit, e po ashtu për Sokol Bashotën.

Për Jakup Krasniqin, dëshmitari tha se ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe një gjë të tillë e kishte kuptuar përmes medieve.

“Sipas njohurive të mia, nga qershori i vitit 1998, Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK-së. Unë mendoj që ka qenë një publikim në media, ose përmes gazetës ose televizor që Jakup Kraniqi është përzgjedhur si zëdhënës i UÇK-së. Data e saktë nuk më kujtohet e as mënyra e saktë nuk më kujtohet”, tha Çadraku.

Ai tha se Sokol Bashotën nuk e kishte njohur gjatë luftës dhe se pas saj e kishte kuptuar që ai ishte pjesë përbërëse e Shtabit të Përgjithshëm.

“Unë, Sokol Bashotën nuk e kam njohur gjatë luftës. Atë që kam dëgjuar pas luftës ka qenë se ai ka qenë një pjesë përbërëse e Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, këtë po e them jo nga njohuritë e mia gjatë luftës me shokët e mi, por e kam mësuar pas luftës”, tha Çadraku.

Gjithashtu, dëshmitari u pyet se a e dinte se çfarë nofke kishte Sokol Bashota gjatë kohës së luftës.

“Tani jam në dijeni që ai më duket e ka pasur nofkën njëmbëdhjetëshi (11)”, u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitari theksoi se gjatë kalimeve në Shqipëri ka mundur që të takojë Thaçin, por që nuk e ka njohur në atë kohë e as funksionin e tij brenda UÇK-së.

“Mund ta kem takuar Thaçin pa e ditur dhe pa e njohur se kush është dhe çfarë është brenda UÇK-së”, shtoi ai.

Ai gjithashtu shpjegoi mënyrën se si e kishte takuar Thaçin, duke treguar se në këtë udhëtim të përbashkët ky i fundit e kishte lënduar këmbën.

“Po, mendoj që ju kam takuar një insert të një udhëtimi që ka qenë data 30 maji i vitit 1998, datë kjo kur kjo në Kosovë nga Shqipëria kanë hyrë shtatë eprorët profesionistë të ish-armatës Jugosllave. Më kujtohet që në atë udhëtim, njëri nga bashkëluftëtarët ka pas nevojë për ndihmë se e vrau këmbën dhe e kemi ndihmuar duke ia marrë ato armatime nga krahu dhe më vonë, nuk e di kur, e kam kuptuar që ka qenë Hashim Thaçi. Në atë udhëtim, iu kam treguar se ka qenë edhe Adem Grabovci. Atë e njihja edhe nga viti ’90-të. Kanë qenë më duket edhe Kadri Veseli edhe këta, por që është ai person Hashim Thaçi, e kam mësuar më vonë”, tha Çadraku.

Dëshmitari gjithashtu kishte thënë që “dhjetëshi” për të cilin kishte mësuar më vonë që ishte Rexhep Selimi, i kishte thënë atij që të shkonte në Rahovec që të takohej me Mensur Zymberin që njihej si 500-shi.

Ai shtoi se nuk e dinte nëse Mensur Zyberi e njihte Thaçin në atë kohë, pasi që asnjërin nga këta të dy nuk i njihte.

Megjithatë, dëshmitari tha se flitej që këta dy persona janë njohur pasi që kanë qenë së bashku në studime.

“Mendoj se është e njëjta gjë si me Hashim Thaçin, si me Kadri Veselin në raport me Mensur Zymberin. Mendoj se kanë qenë në një gjeneratë dhe organizimi ka shkuar në bazë të besueshmërive dhe kjo të lë të kuptoj që ata i kanë besuar Mensurit në bazë të njohurive që kishin”, tha Çadraku.

Dëshmitari tha se Rexhep Selimin e kishte takuar edhe në dy raste, duke hyrë nga Shqipëria.

“Mua më duket se e kam takuar Rexhep Selimin në nja dy raste duke hyrë nga Shqipëria. Unë iu kam thënë se Kosovë-Shqipëri kam udhëtuar mbi 35-6 herë në orientimin e grupeve për armatosje dhe njëherë e mbaj mend që ishte qershori apo korriku dhe jemi nisur nga Shqipëria, përkatësisht nga Dobruna me një grup jo shumë të madh por në atë grup e mbaj mend që ka qenë Rexhep Selimi edhe Xheladin Gashi-Plaku, i cili gjatë rrugëtimit është lodhur dhe pati nevojë për ndalim. Po, e mbaj mend që jemi takuar edhe gjatë rrugëtimeve Shqipëri-Kosovë, një apo dy apo më shumë raste”, tha Çadraku.

ZPS për dëshmitarin Çardaku: Do të flas për takimet me Thaçin dhe Veselin, vijat e raportimit dhe për çështje që lidhen me ZKZ-në

Përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace gjatë leximit të përmbledhjes për dëshmitarin, ai tha se Çadraku do të flas për takimet që ka pasur me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin e po ashtu do të flas për vijat e raportimit dhe çështjet që lidhen me sektorin e Zbuim-Kundëzbulimit.

James Pace tha se edhe vetë dëshmitari ishte pjesë e G2-shit në Zonën Operative të Pashtrikut që nga janari i vitit 1999.

“Dëshmitari 03873 është shqiptar i Kosovës që ka qenë anëtarë i LPK-së. Është kyçur në UÇK rreth marsit 1998. Gjatë kohës në UÇK, dëshmitari 03873 ka pasur pozita të ndryshme në vende të ndryshme dhe ka qenë kreu i G2-shit në Zonën Operative të Pashtrikut që nga janari i 99-ës. Dëshmitari 03873 jep dëshmi për LPK-në, krijimin e UÇK-së, rolin dhe përgjegjësitë që ka pas ai në UÇK duke përfshirë faktin që ka siguruar armatime dhe ka marrë pjesë në luftimet e UÇK-së. Dëshmitari 03873 jep po ashtu dëshmi lidhur me strukturën dhe organizimit të UÇK-së, rolin dhe autoritetin që kanë pas anëtarët e UÇK-së në mes të cilëve edhe anëtarët e Zonës Operative të Pashtrikut me anëtarët e shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, tha Pace.

Pace gjithashtu tha se Çadraku ka shoqëruar Thaçin, Veselin dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së drejtë Shqipërisë.

“Dëshmitari 03873 jep dëshmi për takimet që ka pasur me Hashim Thaçin e Kadri Veselin në 98-ën dhe 99-ën kur dëshmitari 03873 ka shoqëruar Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së drejt Shqipërisë. Në 99-ën dëshmitari 03873 është takuar me Kadri Veselin në Nishor dhe prill të 99-ës, Kadri Veseli i ka kërkuar këtij dëshmitari që të vizitonte të gjitha pikat mbrojtëse rreth Shtabit të UÇK-së gjatë luftimeve në Kleçkë”, tha ai.

Ai tha se dëshmitari do të jep dëshmi edhe për mënyrën se si mbaheshin shënimet dhe dijenin që ka ai për dokumentet e UÇK-së.

“Dëshmitari 03873 jep dëshmi për njohuritë që ka sa i takon mënyrës së raportimit, vijave të raportimit mes brigadave, Zonave Operative dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, sa i takon çështjeve që lidhen me Zbulimin dhe Kundërzbulimin. Dëshmitari 03873 jep dëshmi për mënyrën se si mbaheshin shënimet dhe dijenin që ka ai për dokumentet e UÇK-së, përfshirë këtu edhe disa dokumente që ai i ka përpiluar vetë”, tha ai.

Për Bardhyl Mahmutin, dëshmitari tha se e njeh pasi kanë qëndruar bashkë në Zvicër e po ashtu e njeh edhe si anëtar të LPK-së përveç si shok.

Ndonëse ishte lëvizje, dëshmitari tha se LPK-ja u shndërrua më vonë në parti e që brenda anëtarësisë kishte edhe kundërshtime.

Sipas tij, partia e parë që u formua ishte Partia e Bashkimit Demokratik të Kosovës (PBDK) për të cilën tha se nuk ia din emrin me siguri për shkak se vetëm tre muj ka zgjatë.

Ai tha se kur u krijua PBDK-ja, kryetar i saj ishte Bardhyl Mahmuti. Cadraku shtoi se PBDK-ja më vonë e mori emërtimin PDK.

“Subjekti PBDK, pas një kohë e mori emërtimin PDK. Edhe me vjen keq ndoshta sepse unë në atë kohë kam qenë strukturë e unifomuar, jam marrë më pak me politikë. Mirëpo, këto janë ato që kam pa si njeri. Nuk kam qenë pjesë direkte e formimit të partive politike, por normalisht që na ka interesu fati ynë dhe po flas unë për njohuritë e mia, ato që unë i di për këtë subjekt dhe këto ndodhi”, tha ai.

Për Xhavit Halitin dëshmitari tha se e njeh tërë Kosova por edhe në kohën e luftës thotë se e ka njohur për shkak të veprimtarisë së përbashkët në Zvicër.

Edhe për Ali Ahmetin, dëshmitari tha se është njëri nga njerëzit më të spikatur dhe punëtor që kanë ndihmuar shumë edhe në LPK-ën por edhe në formimin e grupeve çlirimtare që kanë rezoltu me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Fillon dëshminë Halil Çadraku, përfaqësohet nga avokati Arianit Koci

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë ka filluar dëshminë Halil Çadraku i cili përfaqësohet nga avokati Arianit Koci në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari mban kodin 03873 dhe është dëshmitari i 107-të me radhë në këtë proces.

Avokati Koci pohoi se parashikojnë që të kërkojnë garanci që ajo se çfarë thotë dëshmitari në Hagë nuk do të përdoret për ta ndjekur penalisht.

Megjithatë, sipas kryegjyqtarit Charles Smith III, nuk pati kundërshtime nga ana e ZPS-së.

“Trupi gjykues e detyron dëshmitarin që të jep dëshmi. Në pajtim me rregullën 151 paragrafi 3, trupi gjykues e siguron dëshmitarin që dëshmia e dhënë në përgjigje të pyetjeve përkatëse nuk do të përdorët as në mënyrë të drejtpërdrejtë as në mënyrë të tërthortë ndaj një personi të caktuar dhe nuk do të përdoret as për ndonjë arsye tjetër përveç arsyeve të cilat parashikohen me Ligj”, tha kryegjyqtari.

Si rrjedhojë, kryegjyqtari informoi dëshmitarin se refuzimi për të dhënë dëshmi mund të sanksionohet me gjobë.

Smith III i ofroi mundësi dëshmitarit që të dëshmojë në seancë të mbyllur që dëshmia e tij nuk të dëgjohet për publikun.

Pas një konsultimi një minutësh me klientin e tij, avokati Koci njoftoi se Çadraku dëshiron që të dëshmojë në seancë publike.

Koci tha se “ne kërkojmë që të shkojmë në seancë të hapur” edhe kur u pyet se a e din klienti i tij që këtë seancë do ta përcjellë i gjithë publiku.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari tha se e  kishte nofkën “Fatosi” gjatë veprimtarisë së tij në luftë.

Dëshmia e këtij dëshmitari sipas kryegjyqtarit Charles Smith III pritet të zgjasë rreth 2-3 ditë. Nga kjo kohë, prokuroria ka parashtruar se i duhen katër orë për pyetjet e saj ndërsa, ekipet e mbrojtjes kanë vlerësuar se i duhen afërsisht shtatë orë e gjysmë për kundërpytjet.

Vlen të theksohet se në prova materiale u pranuan intervistat e dëshmitarit të dhëna më herët përpara autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.

Me 18 nëntor, mbrojtësi i Veselit kishte kërkuar që një pjesë e transkriptit të dëshmitarit 04679 që është dëgjuar në seancë private dhe që kishte të bënte me dëshmitarin 03873 të klasifikohen si publike.

Lidhur me këtë, trupi gjykues tha se pajtohet që pjesët përkatëse mund të riklasifikohen si publiku duke dhënë edhe urdhër për këtë.

Ndërsa, së dyti, kryegjyqtari tha se ekipi mbrojtës i Thaçit kundërshton pranueshmërinë e disa dokumenteve që Prokuroria dëshiron që t’i përdor me dëshmitarin 03873 më arsyetimin që ato janë paragjykuese dhe efekti paragjykues i tyre e shpërben relevancen e vlerën provuese të tyre.

Sipas tij, materiali vjen nga një libër që ka informacion që lidhet me dëshmitarin 04583. ZPS-ja ishte përgjigjur se nuk ka arsye se pse të mos pranohet. Si rrjedhojë, pasi janë shqyrtuar të gjitha parashtrimet, Trupi gjykues ka marrë vendim që të rrezoj kundërshtimin e mbrojtjes së Thaçit.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të enjten në këtë proces dëshmitari i 106-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar e ka përfunduar dëshminë e tij.

E gjithë dëshmia e tij u dëgjua në sesion privat për publikun.

Megjithatë u bë e ditur që ai ishte i pranishëm në sallë përmes video-lidhjes.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat