​Fahrije Hoti: Ministri i Bujqësisë duhet të kërkojë falje publike

Aktuale

​Fahrije Hoti: Ministri i Bujqësisë duhet të kërkojë falje publike

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 07:37 Përditësuar në ora: 11:52 më 25.11.2024
Fahrije Hoti

Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të kërkojë falje

Fahrije Hoti nga Kooperativa Bujqësore “Krusha” ka kërkuar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, që të kërkojë falje për deklaratat e tij në lidhje me të.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, Hoti ka reaguar ndaj pretendimeve të ministrit Peci se ajo është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017. 

“Unë nuk do të lejoj që të njolloset emri im”, tha Hoti, duke shtuar se ka nisur punën në kooperativë pa ndihmën e askujt.

“Kemi aplikuar për përkrahje, por jemi refuzuar. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë ndihmë. Arsyeja ka qenë se nuk i kemi përmbushur kriteret,” sqaroi ajo. 

Hoti theksoi se nuk dëshiron të akuzojë asnjë subjekt politik. Sa i përket pretendimeve të ministrit se ajo është paditur, ajo deklaroi se nuk ka marrë asnjë ftesë për t’u paraqitur në gjykatë.  “Unë kërkoj nga ministri Peci që të kërkojë falje publike,” theksoi Hoti. 

“Nga 2015 deri më 2024 nuk kemi marrë asnjë grant dhe nuk kemi qenë përfitues, përjashtim nga Bashkimi Evropian në kohë pandemie, aty kemi aplikuar pa a njohur askënd me të njëjtat dokumenta”, tha Hoti.

Në fund, ajo shtoi se ka rreth 50 punëtorë, paguan rregullisht taksat dhe nuk kërkon lëmoshë dhe se eksporton në disa shtete.

​Fahrije Hoti: Ministri i Bujqësisë duhet të kërkojë falje publike

Fahrije Hoti, udhëheqësja e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, ka kërkuar nga Ministri i Bujqësisë, Faton Peci të kërkojë falje publike ndaj saj dhe gjitha grave të Krushës siç tha ajo “për njollosje të emrit dhe shpifje ndaj grave të Krushës”.

Në një konferencë për media ajo ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ftesë nga gjykata sipas saj siç ka deklaruar Peci.

Ndërsa ka shtuar se nga viti 2015 kanë aplikuar që të marrin përkrahje nga shteti mirëpo sipas saj deri sot nuk kanë pasur.

Ajo ka thënë se presin nga zyra e ministrit takim më mënyrë që të sqarohet arsyeja e refuzimit të grantit.

Në fund ajo ka shtuar se në të ardhmen serish do të aplikojnë për grante dhe “nuk do të dorëzohen në këtë drejtim”.

Fahrije Hoti sot mban konferencë për media

Korporata Bujqësore “KRUSHA” bashkë me Fahrije Hotin, sot do të mbajnë konferencë për media me fillim nga ora 11:00.

Në njoftimin e lëshuar të shtunën nga kjo korporatë, thuhet se do të demantohet shpifjet e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

“Duke marrë parasysh se kohëve të fundit, përmes rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të Facebook-ut të Ministrit të Bujqësisë, z. Faton Peci, po qarkullojnë deklarata dhe informacione të pabaza dhe tendencioze, me pretendimin se znj. Fahrije Hoti është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 për kthimin e një shume prej 17,800 eurosh, ne ndjejmë të nevojshme të reagojmë.

Gjithashtu, kemi vërejtur një përpjekje për të politizuar këtë situatë, duke e lidhur atë me ngjyrime partiake, çka është e papranueshme dhe e pavërtetë. Për këtë arsye, ftojmë të gjitha mediat e Kosovës të marrin pjesë në një konferencë shtypi, ku do të paraqiten fakte dhe argumente që demantojnë këto pretendime të rreme të shpërndara nga z. Peci”, thuhej në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat