Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, sot do të nderohet me titullin prestigjioz “Doctor Honoris Causa” në Tiranë.
Ceremonia e veçantë do të mbahet në ambientet e Kolegjit Universitar “Qiriazi” dhe përkon me 102-vjetorin e themelimit të këtij institucioni arsimor prestigjioz.
Në ceremoni do të mbajë një fjalë rasti edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili do të vlerësojë kontributin e Hoxhajt në forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar në fushën e arsimit dhe diplomacisë.
“Motivacioni i nderimit për dhënien e këtij titulli për Enver Hoxhajn përfshin punën e tij si ministër i arsimit në Kosovë për modernizimin e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës, krijimin e urave lidhëse për një arsim gjithëkombëtar, bazuar në standardin e gjuhës shqipe. Gjithashtu duke ditur sukseset e tij si Ministër i Jashtëm i Kosovës, titulli i jepet edhe për angazhimin në proceset diplomatike për pavarësimin dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ndihmesën në ndërkombëtarizimin e arsimit shqiptar, duke lidhur universitetet shqiptare me ato europiane”, thuhet në njoftim.
Enver Hoxhaj ka një karrierë të pasur në shërbim të Kosovës, duke shërbyer si Ministër i Arsimit, Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër, aktualisht Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dje deputet. Ai ka qenë pjesë e Grupit Negociator për pavarësimin e Kosovës dhe ka udhëhequr fushata diplomatike të suksesshme për njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës. Aktualisht, Hoxhaj vazhdon të kontribuojë si profesor dhe intelektual i angazhuar.
Ceremonia e sotme është një njohje e merituar për përkushtimin dhe arritjet e tij, duke dëshmuar rolin e tij të rëndësishëm si një lider i arsimit dhe diplomacisë.