Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se projekti i Ministrisë së Financave “Superpuna” është shembull flagrant i shkeljes ligjore dhe keqpërdorimit financiar, duke shtuar se duhet të hetohet e auditohet menjëherë.
Sipas tij ky projekt u krijua dhe u zbatua në mënyrë të dyshimtë, duke anashkaluar bazën ligjore dhe kriteret që rregullojnë funksionimin e Zyrave të Punësimit në Kosovë.
“Përmes një sekretariati të emëruar politikisht, u shmangën institucionet e rregullta dhe u injoruan plotësisht procedurat ligjore”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar se ky projekt po tentohet tanimë t’u kalohet zyrave lokale të punësimit.
“Çështja është se pse nuk u përfshinë Zyrat e Punës që në fillim?
Kush e ka udhëhequr këtë projekt dhe si?
A ka pasur ndonjë mekanizëm llogaridhënës dhe a është audituar projekti?
Sa miliona euro janë shpenzuar deri më tani?
Pse është ndërruar vendimi i parë për themelimin e Sekretariatit të Superpunës?
A është dashur që Agjencia e Punësimit të Kosovës, permes Zyrave të Punësimit, të monitorojë zbatimin e skemës?
A duhet Agjencia e Punesimit dhe ZP-të ta pranojnë këtë projekt të dyshimtë tash në fund të mandatit dhe projektit?”, ka pyetur Shala.