Më 2 dhjetor Kuvendi debaton për qeverisjen e Kurtit

Aktuale

Më 2 dhjetor Kuvendi debaton për qeverisjen e Kurtit

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 12:29
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës të hënën do të mbajë një seancë në të cilën do të diskutohet për qeverisjen e Albin Kurtit.

Ky ka qenë propozimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i paraqitur të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Benik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se si parti e konsiderojnë mjaft të rëndësishëm këtë debat.

“Propozimi ynë ka qenë që të ketë debat për mandatin e kryeministrin Kurti. AAK e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme këtë debat. Për një mandat asnjë projekt nuk është përmbyll. Në qoftë se ikë edhe prej këtij debati ai e merr barrën e dështimit. Ballafaqimi në këtë seancë do të jetë në sektor të ndryshëm dhe e shohim tejet të rëndësishëm që z. Kurti të mos ikë”, ka theksuar Tahri.

Ky debat është përkrahur edhe nga LDK-ja.

“Do të ketë disa seanca. Seanca e ditës së hënë ku do të diskutohet qeverisja e Kurtit. Ne si GP i dhamë përkrahje AAK dhe jemi të gatshëm për diskutim me kryeministrin dhe ministrat e tij”, ka thënë shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.

Ai ka thënë se të enjten do të mbahet një seancë e re dhe vazhdimi i seancës së papërfunduar.

Ndërsa shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kërkesa e opozitës për debat për qeverisjen e Kurtit është bërë në mars të këtij viti.

“E para është një kërkesë e opozitës tashmë gati e vjetruar se është bërë në mars të këtij viti. Sot opozita e kërkoj një finalizim të datës dhe kjo datë u caktua 2 dhjetori. Përderisa ditën e enjte më 5 dhjetor do të ketë dy seanca. Një seancë vazhdim i pikave të mbetura dhe një të re”, ka deklaruar Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat