Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të refuzohet kërkesa e Pjeter Shalës që seanca për shqiptimin e urdhrit për zhdëmtim të shtyhet ose ai si i pandehur të mos marrë pjesë me arsyetimin se po të njëjtën ditë ka caktuar vizita me gjashtë persona.
Vendimi është marrë më 22 nëntor e që trupi gjykues kishte konstatuar se vizitat e planifikuara të Shalës si rrethana të jashtëzakonshme, nuk e arsyeton mosparaqitjen e tij apo shtyrjen e seancës.
Gjithashtu, është udhëzuar Zyra Administrative e Gjykatës që të lehtësohet organizimi i vizitave të Shalës për atë ditë aq sa është e mundshme.
Ndryshe, është vendosur që më 25 nëntor 2024, mbrojtja e Pjetër Shalës ta dorëzojë dosjen e saj përfundimtare për Apelim të vendimit të Themelores e cila e dënoi atë me 18 vjet burgim për krime lufte.
Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.