Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut Afrim Gashin.
Kreu i parlamentit kosovar ishte i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ambasadori Florian Qehaja dhe këshilltarët.
“Në pritjen që i bëri homologut të tij Gashi, kryeparlamentari Konjufca shprehu bindjen se takimet dhe angazhimi i përbashkët i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit të shkëlqyer midis Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke i konsideruar ato si përpjekje për më të mirën e qytetarëve tanë”, thuhet në kumtesë.
Aty tutje thuhet se Konjufca dhe Gashi diskutuan aspekte të ndryshme të parlamentarizmit dhe folën për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis institucioneve legjislative.
“Gjithashtu, biseduan edhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët, duke përfshirë rrugën e integrimeve evropiane, zhvillimin ekonomik, tregtar dhe stabilitetin e rajonit tonë”.
Konjufca shtoi se bashkëkombasit, vlerat dhe synimet e përbashkëta janë ato që qëndrojnë midis raporteve të shkëlqyera shtetërore si garanci e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer dhe thellimit të tij.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi e falënderoi kryekuvendarin Konjufca për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e plotë për të avancuar sa më shumë me projekte dhe punë të përbashkëta, të cilat çojnë në drejtim të përmbushjes së synimeve dhe interesave të vendeve tona”.