Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes pret në takim komisionerin kroat, Zdravo Vukiq

Aktuale

Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes pret në takim komisionerin kroat, Zdravo Vukiq

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 16:27
Foto nga takimi

Një delegacion i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, priti në takim komisionerin kroat për mbrojtjen e të dhënave personale, njëherësh zëvendëskryetar i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, Zdravko Vukiq, me bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë takim, morën pjesë edhe zëvendësambasadori i Kroacisë në Kosovë, Nedjeljko Shpilek.

Delegacioni kroat u shoqërua nga komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku dhe nga Lumnije Demi, drejtore e përgjithshme e këtij agjensioni.

Sipas një njoftimi nga e ana e Kuvendit të Kosovës, në ketë takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve për mbrojtjen e të dhënave personale në mënyrë institucionale, si dhe për mbështetjen nga pala kroate për Agjencinë e Kosovës për Informim dhe Privatësi.

“Po ashtu, u diskutua lidhur me mundësinë e anëtarësimit të Agjencisë së Kosovës për Informim dhe Privatësi me status të vëzhguesit në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), i cili është një organ i pavarur i Bashkimit Evropian që siguron zbatimin e qëndrueshëm dhe harmonizimin e Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave në të gjithë vendet anëtare të BE-së”, thuhet në njoftim.

“Anëtarësimi si vëzhguese në EDPB i Agjencisë së Kosovës për Informim dhe Privatësi, do të ishte veçanërisht i rëndësishëm për Kosovën, pasi ky organ përbën autoritetin më të lartë evropian për standardet e mbrojtjes së të dhënave dhe siguron një platformë për shkëmbim, ekspertizë dhe përditësim të vazhdueshëm me zhvillimet ligjore në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat