Kryeministri Albin Kurti ka marr pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare te Kosovës.
Në fjalën e tij, Kurti tha se kjo Bibliotekë është monument i fjalës së shkruar, dhe dëshmi e gjallë e integritetit të popullit shqiptar.
Tutje, i pasi i ekzekutivit shton se Qeveria e Kosovës do të punojë që Biblioteka Kombëtare të përforcojë rolin e saj si shtëpi e dijes shkencore, bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse drejt të ardhmes.
“Më lejoni t’ju përgëzoj për këtë logo të qëlluar, e cila brenda ka logon e Bibliotekës Kombëtare, spiralen antike ilire, që shënon 80-vjetorin e Bibliotekës sivjet, por njëkohësisht duke sikur pakufi. Vitet e fundit mbështetja e Qeverisë së Kosovës, ka qenë thelbësore në zhvillimin e Bibliotekës sonë Kombëtare, sikur krijimi i qendrës së digjitalizimit dhe pasurimi i koleksioneve me mbi 76 mijë njësi të reja librash, kemi ndërtuar ura të forta mes të kaluarës dhe të ardhmes”, tha Kurti.
“Kjo qendër është bërë pikë referimi për ruajtjen dhe digjitalizimin e trashëgimisë sonë, duke përfshirë 873 mijë objekte digjitale. Ekspozita retrospektive mbi 80-vjeçare e Bibliotekës Kombëtare dhe botimet e saj, na jep mundësinë të reflektojmë mbi rrugën e kaluar dhe vizionin për të ardhmen”.
“Biblioteka Kombëtare është monument i fjalës së shkruar dhe një dëshmi e gjallë e integritetit tonë kombëtar. Në këto mure jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë ndërtuar vetëdijen tonë si popull. Teksa festojmë këtë përvjetor, le të vazhdojmë angazhimin që ta përforcojmë rolin e saj si një shtëpi e dijes shkencore, dhe bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse drejt të ardhmes”, tha i pari i qeverisë.