LIVE: Avokati Koci ankohet për përkthimin në Hagë: Po filloj me shqiptimin e gabuar të mbiemrit tim

Aktuale

LIVE: Avokati Koci ankohet për përkthimin në Hagë: Po filloj me shqiptimin e gabuar të mbiemrit tim

Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 06:46 Përditësuar në ora: 11:37 më 26.11.2024
Arianit Koci

Avokati Koci ankohet për përkthimin në Hagë: Po filloj me shqiptimin e gabuar të mbiemrit tim

Avokati përfaqësues i dëshmitarit Halil Çadraku, u ankua të martën në Hagë për përkthimin e po ashtu edhe për shqiptimin e mbiemrit të tij gjatë seancës në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.

Madje, Koci tha se ka përshtypjen që ekipi i përkthimit është nga Shqipëria dhe ata nuk e njohin të folurën e Kosovës.

“Disa vërejtje në lidhje me përkthimin. Jam i vetëdijshëm për rolin tim shumë specifik në këtë proces, por nëse me lejon gjykata, 2-3 fjalë i kisha dhënë në lidhje me përkthimin, me gjithë respektin për gjykatën. Po filloj me shqiptimin e gabuar të mbiemrit tim. Vazhdimisht thojnë Koçi e është Koci. Kam përshtypje që ekipa e përkthimeve nuk e njeh kontekstin kosovar dhe e folmen e gjuhës tonë në Kosovë. Edhe pse e flasim gjuhën e njëjtë, kam përshtypjen se përkthyeset janë të Shqipërisë. Për shembull, ka probleme nëse nuk e njeh kontekstin me e perkthy fjalën ‘ka dek prej deke’”, tha ai.

Lidhur me këtë parashtrim të Kocit, pati kundërshtime prokurori James Pace, duke thënë që avokatit kujdestar nuk i takon që të trajtojë këto aspekte.

“Ka procese të tjera për t’i trajtuar këto aspekte. Nuk i takon avokatit kujdestar t’i trajtojë këto”, tha Pace.

Me këtë gjë u pajtua edhe kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, duke i thënë se nuk është kompetencë e tij që të bëjë këto parashtrime.

“Avokat na vjen keq, por duhet të pajtohemi. Nuk është kompetencë e juaja që të bëni parashtrime të tilla”, tha Smith.

“Mendova që është edhe detyrë e imja me e ndihmu gjykatën”, tha Koci tutje.

Veç tjerash, gjykatësi Smith i kërkoi ndjesë Kocit për shqiptimin e gabuar të mbiemrit, duke thënë se faji është i palëve, përfshirë edhe ata si trup gjykues dhe jo i përkthyesve.

Më pas, seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit Halil Çadraku, e që pyetjet ende nuk i ka mbaruar ZPS-ja e përfaqësuar nga prokurori James Pace.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe dje Halil Çadraku ka filluar  dhënien e dëshmisë.

Sipas përmbledhjes që dha Prokuroria në sallë të gjyqit, dëshmitari iu bashkua UÇK-së afërsisht në mars 1998 dhe kishte role të ndryshme në vende të ndryshme, përshirë në zonën operative të Pashtrikut.

Çadraku edhe sot do të vazhdojë dëshminë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat