Nën sloganin “Forcë në diversitet – Një shoqëri pa diskriminim racor”, është mbajtur të martën Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor.
Në këtë ngjarje u theksua se komunitetet Rom, Ashkali e Egjiptian në Kosovë vazhdojnë që të mbesin të diskriminuar. Aty po ashtu u tha se Qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në trajtimin e këtyre komuniteteve për mundësi të barabarta, por që ende mbetet punë për t’u bërë në përfshirjen e tyre më të madhe në arsim e shëndetësi.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se qëllimi i qeverisë dhe shoqërisë civile është që të ketë një shoqëri gjithëpërfshirëse pa diskriminim racor.
Ai tha se qeveria është duke hartuar një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës, i cili sipasn tij trajton diskriminim racor dhe antigjipizmin.
“Gjatë muajve që kanë kaluar që nga samiti i kaluar kemi promovuar edhe më shumë platformën për raportimin e diskriminimit dhe rastet e raportuara janë adresuar. Qeveria jonë po harton një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës, duke trajtuar diskriminimin racor dhe antigjipsizmin. Ata e kanë një shtet që përkujdeset për ta. Forca jonë është edhe në të përfaqësuarit e diversiteteve për një shoqëri të hapur e gjithpërfshirëse që nuk e lënë askënd prapa, sepse e kemi përfaqësuar diversitetin”, tha Kurti.
Jürg Sprecher, ambasador i Zvicrës në Kosovë, ka thënë se pavarësisht punës së qeverisë diskriminimi racor vazhdon që të mbetet sfidë në vendet e Ballkanit e në Kosovë.
Ai tha se në Kosovë komuniteti rom, ashkali e egjiptian vazhdon që të mbes i diskriminuar si në arsim, shëndetësi e mirëqenie sociale.
“Dëshiroj që të filloj duke falënderuar qeverinë që e ka organizuar këtë iniciativë. Duhet të ballafaqoheni me të vërtetën e hidhur, diskriminimi racor mbetet një sfidë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, pavarësisht punës. Pavarësisht zotimeve për të përimirësuar qasjen në arsim, shëndetësi e punësim, diskriminimi racor vazhdon që t’i dëmtoj këto komunitete. Integrimi i grupeve të margjinalizuara nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e njeriut, ka të bëjë me shpalosjen e potencialit të plotë qytetar për të kontribuar në një shoqëri më kontribuese. Statistikat janë shqetësuese, sipas një studimi të bërë së fundi në Kosovë ka ende qëndrime diskriminuese ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian. Por, Qeveria e Kosovës ka marr hapa të mëdha për luftim të diskriminimit”, ka thënë ai.
Pajtim Zeqiri, shef i Zyrës, Terre des Hommes në Kosovë tha se transformimi mund të bëhet i mundur vetëm nëse paragjykimet e stereotipat zëvendësohen me respekt e diversitete.
“Një shoqëri e mire është kur të gjithë pavarësisht etnisë, racës, gjinisë, statusit ekonomik kanë qasje të njëjtë në mundësi dhe në të drejta. Transformimi mund të behet i mundur vetëm nëse paragjykimet e stereotipat zëvendësohen me respekt e diversitete, ndërsa gjuha e urrejtjes mund të zëvendësohet me gjuhën e mirëkuptimin e tolerancës”, tha ai.
Kjo është një është një ngjarje vjetore që bashkon qeveritë, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e pavarur dhe komunitetet për të trajtuar kolektivisht çështjen e diskriminimit racor kundër komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në rajon.
Objektivat e Samitit përfshijnë forcimin e vullnetit politik për veprime transformuese për të adresuar racizmin sistemik dhe diskriminimin racor. Theksimin e rëndësisë së përfaqësimit të publikut në çdo nivel të proceseve të vendimmarrjes për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit racor. Njohjen e kontributit të individëve, organizatave, dhje sektorit privat që qëndrojnë kundër racizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë dhe intolerancës, sfidat me të cilat përballen, si dhe ofrimin e rekomandimeve për krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës. Reflektimin e arritjeve dhe sfidave të mëparshme, duke përfshirë mësimet e nxjerra nga edicionet e kaluara të samiteve me fokus tek diskriminimi racor – antigjipsizmit.