Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Presidentja Vjosa Osmani, do ta bëjë sot inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Kolumbi, që ajo e ka cilësuar rezultat historik.
Gërvalla ka thënë se hapja e kësaj ambasade shënon një moment të rëndësishëm për të zgjeruar praninë globale dhe për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Postimi i plotë
Ndihem e gëzuar dhe krenare të njoftoj që puna dhe përgatitjet tona intensive kanë çuar sot në një rezultat historik: në Bogota, Kolumbi, Republika e Kosovës po hap ambasadën e saj në një tjetër vend të rëndësishëm në Amerikën Jugore.
Ndihem shumë e nderuar që Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu do të bëjë sonte inaugurimin e ambasadës.
Hapja e ambasadës sonë në Kolumbi shënon një moment të rëndësishëm në strategjinë tonë për të zgjeruar praninë globale dhe për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.